Demokratët e Senatit, përpara me projektligjin për të trajtuar klimën, taksat, kujdesin shëndetësor dhe inflacionin

Demokratët e Senatit, përpara me projektligjin për të trajtuar klimën, taksat, kujdesin shëndetësor dhe inflacionin

Demokratët e Senatit bënë publike javën e kaluar hollësitë e një projektligji të gjerë që do të trajtonte ndryshimet klimatike, kujdesin shëndetësor, inflacionin dhe taksat. Njoftimi pasoi muaj negociatash dhe mosmarrëveshjesh të brendshme që dukej se do të prishnin pjesët kryesore të planit të presidentit Joe Biden. Por siç njofton korrespondenti Arash Arabasadi i Zërit të Amerikës, projektligji përballet me një kundërshtim të ashpër republikan në Senat.

Për vite me radhë shkencëtarët e klimës u kanë bërë thirrje udhëheqësve botërorë të ndërmerrnin veprime mbi efektet e ndryshimeve klimatike.

Premtimi për veprim ishte në qendër të fushatës zgjedhore të presidentit Joe Biden. Anëtarët e partisë së presidentit u bashkuan në fund të javës së kaluar dhe njoftuan për Ligjin e Reduktimit të Inflacionit të vitit 2022 që përfshin, ndër dispozitat e tjera, planin më ambicioz të klimës në historinë e vendit.

“Ligji do të ulë kostot e kujdesit shëndetësor për miliona amerikanë dhe do të jetë investimi më i rëndësishëm – pa ekzagjerim – investimi më i rëndësishëm që kemi bërë ndonjëherë për sigurinë tonë të energjisë dhe energjinë e pastër duke krijuar vende pune dhe duke ulur kostot në të ardhmen", tha presidenti Biden.

Njoftimi pason disa muaj mosmarrëveshjesh ndonjëherë publike midis udhëheqësit të shumicës së Senatit Chuck Schumer dhe demokratit të Virxhinias Perëndimore Joe Manchin mbi pjesët që mund dhe nuk mund të përfshiheshin në projektligj. Por javën e kaluar, gjithçka dukej se kishte ndryshuar.

“Ky është një projektligj për uljen e inflacionit. Ne po investojmë. Nuk po shpenzojmë para, po investojmë. Kemi marrë një projektligj prej tre pikësh-pesë trilionë dollarësh që nuk unë mund kurrë të arrij në një marrëveshje për të në asnjë mënyrë, apo formë, dhe e kemi ulur nga tre pikë-pesë trilion shpenzime në 400 miliardë investime pa rritur asnjë lloj takse”, tha senatori Manchin.

Projektligji, i cili aktualisht përballet me një pengesë proceduriale përpara votimit në Senat, trajton gjithashtu kostot dhe pavarësinë e energjisë. Por republikanët mbeten të kujdesshëm ndaj planit Schumer/Manchin, pjesa më e madhe e të cilit u negociua në fshehtësi.

“Shumë nga ato që thotë senatori nuk janë të vërteta. Për shembull, sipas Komisionit të Përbashkët mbi Tatimet ata po rrisin taksat. Taksat do të rriten pothuajse 17 miliardë dollarë në vitin e parë për ata që fitojnë më pak se 200 mijë dollarë dhe përqindja e taksave rritet me kalimin e kohës për klasën e mesme dhe me të ardhurat më të ulëta. Ata po rrisin taksat për njerëzit që fitojnë më pak se 10 mijë dollarë”, tha senatori republikan Bill Cassidy.

Demokratët e hedhin poshtë këtë pretendim. Ata thonë se projektligji shmang taksat e reja për familjet që fitojnë më pak se 400 mijë dollarë në vit, ndërkohë që ul kostot e barnave dhe forcon ligjin e Aktit të Kujdesit të Përballueshëm të hartuar nën ish-Presidentin Barack Obama.

Programet energjetike do të përfshinin një përzierje të energjisë së pastër dhe lëndëve djegëse fosile, me interes të madh për Senatorin Manchin, i cili përfaqëson një shtet të pasur me qymyr. Ligji i Reduktimit të Inflacionit të vitit 2022 do të kërkonte mbështetjen e plotë të demokratëve në votimin e kësaj jave, pasi republikanët duken të bashkuar në kundërshtimin e tij.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh