Partia Demokratike e Shkodrës ka përmbyllur procesin e përzgjedhjes se kandidaturave për deputetë në kuadër të udhëzimit nr.60 të PDSH ku anëtarësia ka propozuar emrat që pritet të jenë në listat e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Burime për Report TV bëjnë me dije se nga 38 grupseksione që ka PD e Shkodrës, janë rreth 100 emra të cilat do ti dërgohen si propozime Kryesisë së PD në Tiranë e cila me pas do të sjellë edhe listën me emra e cila do të votohet me parimin një anëtarë një votë.

Megjithatë, duke iu referuar propozimeve të grupseksioneve të PD-së së Shkodrës, emrat më të propozuar janë Bardh Spahia, I cili është propozuar në 34 grupseksione nga 38 që ka në total PD e Shkodrës, duke vijuar më pas me emrin e kryebashkiakes Voltana Ademi, e cila është përmendur edhe si kandidaturë për zgjedhjet vendorë për të vijuar të drejtojë Shkodrën, ndërkohe që në listën e emrave më shumë të propozuar, është edhe Greta Bardeli, N/Kryetare e PD Shkodër, si dhe ish Kryetarja e Qarkut të Shkodrës.

Ndërkohë në listën e të propozuarve nuk mungojnë as ish deputetët, Romeo Gurakuqi dhe Lorenc Luka. Duke iu referuar të njëjtave burime mësohet se në listën e emrave të propozuar është edhe Kryetari Forumit Rinor të PD Arvid Bushati, Izmira Ulqinaku dhe Benardeta Syku.

Këto janë vetëm disa nga emrat e propozuar, ndërkohe që lista vijon me emra të tjerë të njohur të PD në vite, mes te cilëve ish Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Xhemal Bushati dhe Astrit Bushati, ndërkohë që lista e gjatë me 100 emra plotësohet edhe nga emra nga fusha akademike dhe intelektualë të qytetit të Shkodrës.

Megjithatë kjo listë do të përpunohet nga Kryesia e PD në Tiranë, ndërkohë  që të gjithë ato që duan të jenë pjesë e listës do të duhet të plotësojnë formularin tip të detajuar nga PDSH, në të cilin do jetë një filtër për të përshkruar jo vetëm angazhimin në strukturat e PD por edhe aktivitetin personal.