Shqipëria nuk mund të sillet si një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndërkohë që në Parlament dhunohen parimet bazë të demokracisë. Ky ishte mesazhi që demokratja Jorida Tabaku dhe përfaqësues të Partisë Demokratike i përcollën eurodeputetit Andreas Schieder, raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, gjatë një takimi të zhvilluar të enjten në Tiranë.

Në një reagim në rrjetet sociale pas takimit, Tabaku renditi tri shqetësime që, sipas saj, po pengojnë progresin e vendit në procesin e integrimit dhe që lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e Kuvendit.

Duke marrë si shembull çështjen e Belinda Ballukut, Tabaku kritikon refuzimin e mazhorancës për të mbledhur Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit dhe akuzon shumicën se po e kthen Kuvendin në “noter të qeverisë.”

“Opozita nuk mund të trajtohet si marionetë, duke i hequr fjalën sa herë që shumicës nuk i pëlqen debati. Këto janë standarde minimale të demokracisë parlamentare,” shkruan Tabaku.

Eurodeputeti Andreas Schieder, një socialdemokrat nga Austria, ndodhet në Shqipëri në kuadër të një misioni faktmbledhës përpara prezantimit të draft-raportit vjetor për Shqipërinë në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian. Më herët gjatë vizitës, ai është takuar edhe me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj.

Deklarata e Tabakut nw rrjete sociale 

"Sot me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andrea Schieder , diskutuam tre probleme themelore që nuk duhet t’i kishte një vend që ka çelur të gjithë grupkapitujt e negociatave: Kuvendi nuk mund të sillet rreth drejtësisë duke mos mbledhur Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit: Kuvendi nuk mund të jetë noter fast-track i ligjeve të qeverisë, pa debat dhe diskutim të shëndetshëm: Opozita nuk mund të trajtohet si marionetë, duke i hequr fjalën sa herë që shumicës nuk i pëlqen debati. Këto janë standarde minimale të demokracisë parlamentare"