Teksa Shqipëria përshpejton hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti në Tiranë raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder. Takimi u fokusua në ecurinë e reformave, rolin e Kuvendit dhe përmbushjen e kushteve kyçe në procesin e negociatave.
Gjatë bisedës, Peleshi nënvizoi angazhimin institucional për të rritur rolin e Kuvendit në procesin e anëtarësimit, përmes përmirësimeve ligjore dhe strukturore që synojnë forcimin e funksionit legjislativ dhe mbikëqyrës. Ai theksoi rëndësinë e përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së dhe nevojën për konsensus të gjerë politik e parlamentar për të çuar përpara axhendën europiane.
Në qendër të diskutimit ishin edhe përmbushja e kritereve të kapitujve 23 dhe 24 të acquis communautaire, që lidhen me gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.
Pjesw e diskutimeve mes dy palwve ishin gjithashtu çështje si liria e medias, forcimi i institucioneve të pavarura dhe zbatimi i rekomandimeve të Komisionit Europian për vitin 2025.
Peleshi dhe Schieder vlerësuan rëndësinë e një qasjeje të bazuar në rezultate dhe nevojën për zbatim efektiv të reformave transformuese. Kryetari i kuvendit gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian për procesin e integrimit të Shqipërisë, ndërsa Schieder riafirmoi angazhimin për të forcuar ndërveprimin mes dy parlamenteve dhe për të mbështetur më tej rrugëtimin europian të vendit.
Komente









