Delvinë dhe Finiq, dy bashkitë që vuajtën më së shumti nga zjarret, ende nuk është bërë bilanci i dëmeve. Për pasojë, edhe dëmshpërblimi për banorët që humbën shtëpitë, bagëtitë dhe pemtoret, duket ende i largët. Ndryshe nga Gramshi, që tashmë ka një bilanc dhe pret fonde nga Qeveria për 68 banesa të djegura, në dy bashkitë e skajit jugor nuk janë kryer evidentime të sakta.

Këtë e pranon Prefekti i Vlorës, Plator Nesturi, i cili në intervistë për mediat tha se për shkak se bashkitë nuk bënë vlerësime të sakta, u janë shpërndarë disa formularë të gatshëm për të ulur marzhin e gabimit në përllogaritje. E njëjta gje eshte dhe në bashkitë; Vlorë, Selenicë e Himarë, të cilat kishin dëme më të pakta.

 “Nuk ka një evidentim të plotë. Bashkitë i bënë, por ishin të dhëna të ndryshme, kështu që kemi shpërndarë formularë për të gjitha bashkitë; kjo do të raportohet në prefekturë dhe tek emergjencat civile që të kemi një listë të saktë dhe ndihmat të jenë reale”, tha Prefekti, Plator Nesturi.

Prefekti i Vlorës foli edhe për reformimin e sektorit zjarrfikës, duke e hedhur fajin sërish tek të gjitha bashkitë e qarkut të Vlorës, të cilat sipas tij nuk kanë investuar për pajisje e mjete.

 “Zjarrfikësit dhe mënyra e operimit për emergjencat do të reformohen; do të ketë ndarje të re, me krijimin e zonave të reja ku do të jenë të përqendruara mjetet, të cilat do të varen nga Ministria e Mbrojtjes.” Vetë bashkitë duhet të rrisin kapacitetet e tyre, të shfrytëzojnë buxhetet dhe të investojnë në blerjen e mjeteve dhe pajisjeve. Në këtë kuadër, kemi nxjerrë mësime për atë që duhet të rregullohet. Si fillim, duhen blerë mjete 4x4”, shton ai.

Gjatë korrikut dhe gushtit, Shqiperia u përball me situatë kritike nga zjarret dhe sipas Sistemit Europian të Informimit mbi Zjarret janë djegur mbi 17.520 hektarë tokë. Dëmet më të mëdha u shkaktuan në qarkun e Vlorës, me mbi 11.540 hektarë.