Rreth 38 mijë banorë të qytetit Backnang, në verilindje të Shtutgartit, mbetën pa internet dhe telefon pas një incidenti që preku rrjetin hekurudhor në zonë. Ngjarja shkaktoi edhe ndërprerje në qarkullimin e trenave, ndërsa policia gjermane ka nisur hetimet për sabotim të mundshëm.

Sipas autoriteteve, persona të paidentifikuar kanë hyrë të dielën pasdite në një pus betoni pranë linjës hekurudhore mes Backnangut dhe lagjes Maubach, ku dyshohet se kanë prerë disa kabllo me mjete pune.

Hetimi është marrë përsipër nga njësia e sigurisë së shtetit, e cila po shqyrton të gjitha pistat. Deri tani nuk dihet se sa trena janë prekur nga incidenti dhe sa kanë zgjatur ndërprerjet në qarkullim.

Policia nuk e përjashton plotësisht mundësinë që në zonë të jenë kryer punime të ligjshme. Megjithatë, sipas saj, në raste të tilla kompania hekurudhore Deutsche Bahn do të ishte njoftuar paraprakisht.

Ndërkohë, autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që mund të kenë parë lëvizje apo aktivitete të dyshimta pranë shinave hekurudhore të kontaktojnë policinë