Dëmtimi i Kishës së Shën Premtes
Ministria e Kulturës shfajësohet

Dëmtimi i Kishës së Shën Premtes <br />Ministria e Kulturës shfajësohet
TIRANE - Në lidhje me dhunimin e kishës së Shën e Premtes në fshatin Valsh në komunën Gjinar të Elbasanit, ka reaguar ditën e sotme Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, duke sqaruar se një grup nga kjo ministri ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar dëmin që është bërë nga ky akt vandal. Sipas MTKRS ngjarja është hetim e sipër, duke theksuar se është praktikisht e pamundur të survejohen 24 orë në 24 të gjitha monumentet e kulturës në vend dhe përgjegjësia e ruajtjes dhe përkujdesjes së këtyre monumenteve është sa shtetërore po aq edhe e komunitetit.

Sipas MTKRS nga inspektimi në Kishën e Shën e Premtes në fshatin Valsh të Elbasanit është konstatuar se “afresku është dëmtuar, goditur, prerë dhe shkulur në mënyrë të dhunshme dhe mekanike nga mjete të forta dhe persona të pandërgjegjshëm dhe të painformuar mbi procesin e shkuljes apo heqjes së një pikture murale. Grabitja është bërë e fragmentuar dhe e fokusuar në pjesët e portreteve të shenjteve kryesore të ikonografisë biblike”.

MTKRS sqaron se në tentativë për t’u vjedhur por në pamundësi për t’u shkulur janë dëmtuar “portreti tek figura e Shën Mërisë me Krishtin tek altari, portreti i figurës së Shën e Premtes (i cili është shenjti të cilit i është dedikuar kisha), shkrime të ndodhura në pjesën e brendshme të altarit (ndër to është shkruajtur emri i piktorit të kishës Onufri), figura mbi nike, pjesë të portretit të dëmtuar të një shenjti në të majtë të absides (portreti i të cilit është dëmtuar gjatë shkuljes dhe është lënë i fragmentuar në kishë. Grabitja dhe humbja e këtyre fragmenteve të rëndësishme e ka dëmtuar pikturën nga ana artistike, vizuale, duke bërë të pakthyeshëm dëmin e kësaj pasurie të trashëgimisë kombëtare”.

MTKRS bën me dije opinionin publik se ajo administron një territor të madh dhe një pasuri të madhe të trashëgimisë materiale, por duke qenë se numri i monumenteve të kultit është tepër i madh do të ishte praktikisht e pamundur të survejoheshin 24 orë në 24 të gjitha këto monumente. Kjo do të kërkonte një numër shumë të madh njerëzish dhe një infrastrukturë të posaçme.

MTKRS thekson se vetëm gjatë vitit 2012 ka investuar në nëntë objekte, kisha, manastire dhe monumente kulture në kuadër të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve vlerën e 27.6 milionë lekë. Këto fonde i janë dhënë njësive të qeverisjes vendore, pikërisht për të përforcuar lidhjen mes objekteve të trashegimise dhe njësive vendore e komunitetit të tyre. Investimet janë shtrirë në qarkun Fier, Gjirokastër, Korçë, Vlorë dhe Sarandë.

MEDIAT E HUAJA PUBLIKOJNE DHUNIMIN E AFRESKUT
Pas dhunimit të Kishës së Valshit, Elbasan, media “BalkanInsight” ka publikuar sot lajmin që mban titullin “Ministri shqiptar fajtor për shkatërrimin e afreskut të çmuar”.

“Një deputet ka thënë se Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, duhet të japë dorëheqjen pas dështimit për të mbrojtur afresket e mjeshtrit shqiptar të shekullit 16-të të cilin grabitësit e kanë shkatërruar kohët e fundit”, theksohet në titujt hyrës të lajmit në të “BalkanInsight”. Kjo media ka botuar të plotë reagimin e deputetit të PS-së Auron Tare.

“BalkanInsight” shkruan se “Deputeti Tare, i cili është gjithashtu një aktivist për mbrojtjen e trashëgimisë, thotë se autoritetet kanë dështuar në mbrojtjen e trashëgiminë së vendit dhe i akuzon ata se janë përpjekur për mbuluar incidentin me qëllim”. Gjithashtu kjo media e njohur ka publikuar edhe dy foto nga shkatërrimet e afreskeve ne Kishën e Shën e Premtes.

Redaksia online

(e.ç/dh.h/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Po drejtonte trajlerin e ngarkuar me krom, humb jetën 37-vjeçari në Kalimash

Po drejtonte trajlerin e ngarkuar me krom, humb jetën 37-vjeçari në Kalimash