Portieri i Milanit, Marco Sportiello ka pësuar një problem muskulor që do ta mbajë jashtë ndeshjes të së dielës në mbrëmje kundër Juventusit. Duke pasur parasysh skualifikimin e Maignan, Antonio Mirante do të vendoset mes shtyllave në "San Siro", i cili nuk ka luajtur 90 minuta të plota që nga prilli i 2021, kur mbante ende fanellën e Romës dhe që ka vetëm një paraqitje për kuqezinjtë.
Sportiello, ish-lojtari i Atalantës do të duhet të qëndrojë për dhjetë ditë pushim, pas së cilës dëmtimi do të vlerësohet me një analizë të re. Prandaj pritet një ndalesë e gjatë për të.
Në stol si zëvendësues i Mirantes do të jetë Lapo Nava, i lindur në vitin 2004 dhe tashmë në skuadrën e Piolit për ndeshjet kundër Veronës dhe Cagliarit, edhe për shkak se portieri i blerë nga Paolo Maldini janarin e kaluar, Devis Vasquez, doli në formë huazimi te Sheffield Wednesday.