POGRADEC- Mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 1, 27-vjeçari Arsen Muço Muço nga fshati Gështenjas, në gjendje të dehur ka fyer dhe ofenduar punonjësit e Policisë së Rendit, të cilët ishin duke patrulluar në këtë zonë.
Pas dërgimit të 27-vjeçarit në Komisariat ka shkuar vëllai i tij, 33-vjeçari Erton Muço, po ashtu në gjendje të dehur ai ka dëmtuar portën hyrëse të Komisariatit, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit, dhe në bashkëpunim me vëllanë e tij Arsen Muço ka dëmtuar tavolinat dhe karriget në dhomat e shoqërimit.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik", "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" dhe "Shkatërrimi i pronës", të kryera në bashkëpunim.