Janë shumë mënyra për te lexuar Strategjinë e Sigurisë Nacionale (NSS) të administratës Trump. Një nga këto është që ajo është produkt i një baraspeshimi apo kompromisi të dy botëkuptimeve të kundërta. Me një anë është vizioni politik dhe partizan i Trumpit për botën, ndërsa në anën tjetër është botëkuptimi tradicional i aparatit të sigurisë dhe diplomacisë amerikane. Thënë ndryshe, hartuesi fundor i NSS-it ka pasur një detyrë herkuliane, që të pajtojë atë se çfarë Trumpi kërkonte që të përfshihet politikisht në dokument me atë çfarë shteti amerikan konsideronte objektivisht prioritetet thelbësore të sigurisë nacionale.

Kjo detyrë herkuliane që të pajtohen gjërat e papajtueshme është edhe arsyeja përse dokumenti shpesh duket i çuditshëm dhe në kontradiktë me veten. Për shembull, NSS flet me përbuzje për Evropën si një “civilizim në rënie” dhe akuzon liderët evropianë për minim të proceseve demokratike, por në anën tjetër dokumenti njeh Evropën si “rajon i rëndësisë kyç strategjike dhe kulturore”, si dhe “shtyllë e ekonomisë globale dhe prosperitetit amerikan”. Dokumenti konkludon se minimi i Evropës do të ishte “i dëmshëm për realizimin e objektivave të kësaj strategjie”.

Në një anë dokumenti flet për “America First” si leitmotiv i strategjisë, por në anën tjetër dokumenti sikur çdo paraardhës i tij vazhdon të promovojë pozicionin dominues amerikan në çdo kontinent të botës. Në një anë dokumenti flet në terma negativë për aleatët sikur oportunistët të cilët kanë keqpërdorur mirëbesimin amerikan, por në anën tjetër dokumenti njeh aleatët si pasuri amerikane në “rajonet më të rëndësishme strategjike”. Dhe jo vetëm kaq, ai bën thirrje për forcim të mëtutjeshëm të aleancave për të “ruajtur balancën rajonale dhe globale të fuqive me qëllim të parandalimit të ngritjes së kundërshtarëve të fuqishëm”.

Arsyeja përse zgjodha të vendos në pah këtë dikotomi të Strategjisë së Sigurisë Nacionale të administratës Trump është për të ofruar një lexim ndryshe të NSS-it, nga ai i cili është çimentuar në diskursin liberal perëndimor kohëve të fundit. Pra që nga publikimi i NSS-it është krijuar një konsensus në hapësirën liberale perëndimore se strategjia është mishërim i doktrinës izolacioniste “America First”, por nëse shikojmë pakëz nën sipërfaqen e kryetitujve mediatikë do të kuptojmë se në fakt kemi të bëjmë me një nga politikat më ekspansive të jashtme amerikane të kohës moderne.

Më shumë se tërheqje nga bota, NSS bën thirrje për një ridimensionim dhe rikonsolidim të fuqisë amerikane në botë përmes një pozicionimi më agresiv dhe realist në teatrot e ndryshme të globit. Për shembull, në kundërshtim me retorikën izolacioniste që avokon e djathta ekstreme amerikane, NSS riafirmon se interesat dhe prioritetet amerikane mbesin globale. Në vend që të tërhiqet nga angazhimet e veta ndërkombëtare, administrata Trump po dyfishon praninë e vet në hemisferën perëndimore, Indo-Paqësorin, Evropën, Lindjen e Mesme dhe të gjitha rrugët kyç detare.

Kjo qasje sugjeron që "kthimi drejt Azisë" i diskutuar prej kohësh nuk ka rezultuar në braktisjen e rajoneve të tjera; përkundrazi Shtetet e Bashkuara në fakt po zgjerojnë shtrirjen e tyre me fokus të veçantë në hemisferën perëndimore. Një fokus kaq i gjerë gjeografik i administratës Trump fundos idenë se jetojmë në epokën “America First” dhe konfirmon kursin tradicional të politikës ekspansive të jashtme amerikane.

Po në këtë frymë NSS ruan politikën bipartizane amerikane ndaj Kinës. Ai riafirmon angazhimin e SHBA-së për një "Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur" dhe kërkon forcimin e aleancave me Evropën, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Australinë. Ai zotohet për mbrojtjen agresive të Taiëanit dhe njëkohësisht bën thirrje për një prani të qëndrueshme ushtarake në Detin e Kinës Jugore. Po ashtu përveç konfirmimit të përkushtimit amerikan në kuadër të QUAD-it, NSS-i konfirmoi paktin e AUKUS-it që ka për qëllim fuqizimin e pozitës australiane në kuadër të këtij teatri.

Kur flet për synimet kyç, NSS-i flet për krijimin e “ushtrisë më të fuqishme, vdekjeprurëse dhe teknologjikisht të përparuar në botë”, si dhe mirëmbajtjen e “fuqisë së jashtëzakonshme të ‘butë’ që kemi për të përkrahur zhvillime pozitive në botë të cilat avancojnë interesat tona”. Kjo nuk është një gjuhë që synon tërheqjen e Amerikës nga bota. Ky nuk është izolacionizmi i “America First”. Kjo është e kundërta e saj.

Nuk e di kush ka qenë hartuesi fundor i NSS-it. Kushdo që ka qenë ajo, apo ai, nuk e ka pasur një detyrë të lehtë. Ata është dashur të pajtojnë botën imagjinare të Trumpit me prioritetet reale të aparatit të sigurisë dhe diplomacisë amerikane. Lajmi i mirë është që në këtë përplasje të botëve të ndryshme ka fituar shteti amerikan. Tani për tani./Koha