Pa filluar mirë viti 2025, të gjithë ne tanimë mendojmë për dy gjërat kryesore të cilat do të karakterizojnë vitin tjetër: zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit këtu te ne, dhe hyrja e presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Këto dy ngjarje do të përcaktojnë kursin e gjithë vitit që është para nesh.
Edhe një muaj, pak a shumë, na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare dhe pa marrë parasysh se cilin opsion politik do të votoni, askush nuk mund të ankohet se nuk ka pasur alternativa cilësore për votën e saj apo të tij. Në veçanti tre partitë kryesore politike kanë ofruar kandidatë të respektueshëm për kryeministër dhe listë cilësore të kandidatëve për deputetë.
Kësisoj, partitë politike po vazhdojnë kursin e shëndetshëm politik të vendosur që nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, e të vazhduar me zgjedhjet lokale 2021 dhe tani të konfirmuar me zgjedhjet e shkurtit të vitit tjetër. Kemi arsye që të jemi krenarë për mënyrën se si jemi duke zhvilluar proceset tona zgjedhore. Ato standarde që ne i marrim për të mirëqena janë lluks për vendet e rajonit. Nga cilësia e kandidatëve për kryeministër dhe ofertave të tyre politike, e deri tek organizimi profesional i zgjedhjeve dhe hapësira e barabartë mediale për prezantimin e ideve politike, Kosova vazhdon të ndërtojë standarde të larta të kulturës politike. Dhe në këtë sens bota disi është kthyer përmbys.
Përderisa në Kosovë jeta politike duket sikur në perëndim, në perëndim jeta politike duket kaos. Kësisoj, ditët e fundit të vitit 2024 në SHBA janë duke na ofruar një “trailer” të asaj se si do të duket viti 2025 në demokracinë më të rëndësishme të botës. Ende pa hyrë Trump-i në Shtëpinë e Bardhë jeta politike amerikane është kthyer në kaos. Disa ditë pasi që Demokratët dhe Republikanë kanë dakorduar buxhetin për tre muajt e mbetur të administratës Biden, Trumpi ka sulmuar marrëveshjen e dakorduar duke e dështuar kështu votimin e buxhetit federal. Kjo denigroi rëndë Partinë Republikane, pasi që republikanët tani më ishin dakorduar të mbështesin marrëveshjen e arritur me demokratët.
Thënë ndryshe ata tradhtuan zotimin e tyre. Trumpi bëri këtë, sepse ishte i bindur se kështu do të tregonte fuqinë e vet për të kontrolluar Ëashingtonin, por as ai vetë nuk ka mundur të paramendojë se si do t’i kthehet kjo bumerang. Pas dështimit të buxhetit ndërpartiak, Trump propozoj një version tjetër të buxhetit federal me thirrjen në rrjetin social “Truth Social” se “Të gjithë Republikanë, madje edhe Demokratët, duhet të bëjnë çfarë është më e mira për vendin dhe të votojnë “PO” për këtë buxhet sonte”. Votimi dështoi në mënyrë spektakolare. Jo vetëm se buxheti i Trumpit nuk u votua unanimisht nga demokratët, por ai nuk u votua as nga vetë republikanët. Ky fiasko i Trumpit na tregoi disa gjëra.
E para, dështimi i votimit të buxhetit denigroi dhe njollosi vetë Partinë Republikane. Fytyra dhe zëri kryesor publik republikan në gjithë këtë debat nuk ishte vetë president i zgjedhur Trump, Zëvendës President i zgjedhur JD Vance apo kryetari i Kongresit Mike Johnson. Ishte qytetari privat, Elon Musk. Kësisoj, ky episod ekspozoi pushtetin e fshehur që miliarderi Musk ka mbi Partinë Republikane dhe demokracinë amerikane. Përfaqësues të zgjedhur republikanë ishin thjesht ca kukulla. Kjo është diçka që shumë republikanë do të mbajnë mend dhe nuk do t’ia falin lehtë Trumpit dhe Musk-it.
Së dyti, dështimi i votimit të buxhetit të Trumpit rrënoj shumë shpejt aurën e fitores së Trumpit. Pra, Trumpi pësoi humbje në betejën e tij të parë me Kongresin Amerikan, duke ekspozuar kështu dobësinë e vet për të kontrolluar përfaqësuesit e zgjedhur republikanë. Dobësia asnjëherë nuk është ogur i mirë në politikë.
Së treti, dështimi i votimit të buxhetit të Trumpit ka entuziazmuar demokratët. Pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale demokratët kanë pasur nevojë për një rrëfim të fitores, por as ata vetë nuk kanë pritur se kjo fitore do të vijë kaq shpejt. Ky episodi i parë i dështimit të Trumpit për të çuar përpara vullnetin e tij është edhe tregues i bukur i sfidave që presidenca Trump do të këtë në vitin 2025. Këto sfida (dhe armiqtë) vetëm do të shtohen me kalimin e kohës. Në vitin 2026 do të mbahen zgjedhjet e ndërmjetme amerikane me ç’rast me siguri të lartë mund të themi se Trumpi do të humbë shumicën në Kongres dhe Senat. Kjo do të paralizoj presidencën Trump në gjysmën e mandatit të tij.
Tani jemi në një situatë ku urgjentisht Trumpi dhe republikanët duhet të gjejnë zgjidhje për situatën që kanë krijuar. Pasi që ata sabotuan buxhetin e dakorduar ndërpartiak dhe dështuan të votojnë propozimin e Trumpit ata do të mbahen përgjegjës për kaosin që kjo situatë do të prodhojë me privimin e buxhetit për qytetarët dhe bizneset amerikane. Por nuk dua të lëshohem më shumë në këtë debat të brendshëm amerikan. Arsyeja përse e solla këtë shembull në vëmendjen tonë është sepse ky zhvillim i fundvitit 2024 është tregues shumë i bukur se si do të duket presidenca Trump edhe në vitin 2025. Do të jetë kaos. Dhe kështu do të jetë edhe karshi rajonit tonë. Tanimë presidenti Trump ka emëruar sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, por ai ka emëruar edhe Richard Grenellin përfaqësues për “misione të veçanta”. Kësisoj, dy pozitat janë të dënuara të jenë në konflikt me njëra-tjetrën.
Nëse sekretari i Shtetit nuk merret me “misione të veçanta”, me çfarë do të merret? Me “misione jo të veçanta”? Shto këtu sekretin publik se Rubio ka mposhtur Grenellin në garën për sekretar të Shtetit dhe kuptojmë përse këta dy persona do të kenë një raport të tensionuar në garën e tyre për vëmendjen e Trumpit. Po ashtu nuk duhet harruar se ata dy përfaqësojnë dy rryma të kundërta ideologjike amerikane. Rubio është republikan tradicional i cili beson në shenjtërinë e aleancës transatlantike dhe rolin e pa zëvendësueshëm amerikan në botë, ndërsa Grenell është dishepull i lëvizjes izolacioniste MAGA, i cili beson se Amerika duhet t’i kthehet vetes.
Dhe e gjithë kjo do të këtë pasoja për rajonin tonë dhe në veçanti për Kosovën. Grenelli patjetër se do të vazhdojë të merret me Kosovën dhe Serbinë. Ai do ta bëjë këtë paralelisht dhe në tension me procesin e natyrshëm diplomatik të udhëhequr nga Departamenti i Shtetit. Po ashtu ai tani më ka dëshmuar se ka qëndrime thelbësisht të ndryshme nga Kryeministri Kurti për dialogun Kosovë – Serbi. Është vështirë e imagjinueshme se si Kurti dhe Grenelli nuk do të vendosen përsëri në kurs kolizioni gjatë vitit 2025. Dhe ky raport patjetër se do ta trazojë skenën politike të Kosovës. Por shumë kush thotë se Presidenca e dytë e Trumpit edhe mund të na befasojë për të mirë. Ndoshta edhe mundet. Ky do të ishte urimi më i mirë për Vitin e Ri 2025./Koha