Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar për vendimin e gjykatës për ish-kreun e Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, i cili u dënua me 4 vite burgim.

Gjykata vërteoi akuzat për tjetërsimin e pronave në zonën e "Ranës së Hedhun" në Shëngjin.

Sipas PD-së gjykimi ka pasur mungesë transparence dhe ndërhyrje nga politika. Ata kanë lajmëruar se Frrokaj do ta apelojë vendimin në shkallët e tjera të drejtësisë.

Partia demokratike ka vlerësuar punën e Fan Frrokaj në krye të Bashkisë së Lezhës, pavarësisht se është shpallur fajtor për tjetërsim pronash.

"Sapo u njohëm me vendimin e gjykatës për ish kreun e bashkisë së Lezhës zotin Fran Frrokaj. Ne jemi të bindur për punën e shkëlqyer që ai ka bërë për Lezhën dhe qytetarët e saj, sikundër shprehim besimin se zoti Frrokaj ka punuar çdo ditë me përkushtim dhe ndershmëri.

Gjykimi në shkallën e parë ka patur mungesë transparence dhe indicie të forta për ndërhyrje të papërshtatshme politike. Jemi informuar gjithashtu se z. Frrokaj do ta apelojë vendimin. Ne shprehim bindjen se gjykimi në shkallët më të larta i kësaj çështje do të nxjerrë në dritë të vërtetën.  Ne i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë ti qëndrojnë sa më larg ndikimeve të politikës në këtë proces dhe të bëjnë drejtësi", deklaroi Bardhi.