Kuvendi i Kosovës do të shqyrtojë nesër në orën 9:00 nismën për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. Seanca është thirrur nga Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ndërsa nisma do të diskutohet si pikë e parë e rendit të ditës.
Nisma për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, është dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas dënimit të 4 krerëve të UÇK-së dhe kërkon ndryshime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Ai parashikon po ashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë, apo që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Trajtimi i projektligjit po zhvillohet në një kohë kur Kuvendi po i afrohet fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, ndërsa palët politike nuk kanë arritur një marrëveshje mbi këtë çështje. Kreu i PDK Bedri Hamza ka deklaruar se është i gatshëm të bisedojë për zgjidhjen e ngërçit, por kërkesa kryesore mbetet aprovimi final i ligjit për Specialen. Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
Kuvendi i Kosovës do të shqyrtojë nesër në orën 9:00 nismën për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
Pas këtij njoftimi organiztorët që zhvillojnë protestat çdo natë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së kanë njoftuar se qytetarë do të qëndrojnë gjatë gjithë natës para ndërtesës së Kuvendit.
“Sonte qëndrojmë para dyerve të Kuvendit. Pa dallime partiake. Bashkë për një kërkesë: votojeni ligjin!
Nga ora 08:00 e mëngjesit, i bëjmë thirrje secilit qytetar të na bashkohet në sheshin Skënderbeu. UÇK-ja është historia jonë. Identiteti ynë. Liria jonë”, thuhet njoftimin e faqes ‘Jo në emrin tim’ në Facebook.

Foto: Bedri Hamza
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se është optimist që plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara do të kalojë nesër në Kuvend.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ai ka thënë se pret që iniciativa e kësaj partie, të përkrahet nga të gjithë deputetët.
“Nesër në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të jetë ligji për plotësim-ndryshimin për Dhomat e Specializuara. Kjo është një iniciativë ligjore e Partisë Demokratike të Kosovës, por e përkrahur masivisht edhe nga qytetarët e Republikës së Kosovës, për çka dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e tyre për përkrahjen e këtij projektligji. E ka marrë miratimin edhe nga Qeveria dhe tash i plotëson të gjitha kushtet që procedohet në Kuvend.
Nesër jam optimist se ligjin do ta përkrahin të gjithë deputetët, edhe i lus edhe i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të jenë në mbështetje të këtij projektligji, dhe ky ligj nesër t’i përfundojë të gjitha procedurat e nevojshme brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është një ligj tepër i rëndësishëm, është një ligj që kërkon të vendosë drejtësi. Nuk jemi kundër drejtësisë, jemi kundër padrejtësisë”, ka thënë ai.









Komente
Komento