Kreu i PDK Bedri Hamza njoftoi nga Kuvendi i Kosovës këtë të hënë atë që paralajmëroi ditën e dënimit të ish-krerëve të UÇK në Hagë nga Gjykata Speciale.
Një nismë që synon të ndërhyjë në ligjin për Gjykatën Speciale të Hagës, por duke mos patur qëllim mbylljen e saj.
“Projektligji përcakton se, kur një rast nuk hyn në këtë juridiksion, ai transferohet në Kosovë, së bashku me dosjen, provat dhe materialin e tij. Pra, drejtësia vazhdon, por vazhdon aty ku duhet të vazhdojë”, u shpreh ai.
Hamza thotë se ndryshimi i ligjit kërkohet për të përcaktuar më qartë kufijtë e mandatit dhe kompetencave të gjykatës speciale.
“Projektligji përcakton se, kur një rast nuk hyn në juridiksionin e Hagës, ai transferohet në Kosovë, së bashku me dosjen, provat dhe materialin e tij”, tha Hamza.
Ai shtoi se një akuzë do të duhet të lidhet konkretisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë me pretendimet për të cilat janë krijuar Dhomat e Specializuara dhe jo të përfshihej në juridiksionin e tyre vetëm për shkak të një lidhjeje të përgjithshme me luftën ose UÇK-në.
Por për rastet që aktualisht janë në proces, Hamza tha se projektligji parasheh që procedurat të vazhdojnë në Apel sipas strukturës ekzistuese të Dhomave të Specializuara.
Megjithatë në rast se Apeli urdhëron rigjykim, sipas tij, ai do të zhvillohej sipas juridiksionit të ri dhe, kur të plotësohen kushtet, rasti do të transferohej në Kosovë.
Dënimi i ish-krerëve të UÇK nga Haga u prek sërish nga kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti që ndodhet në SHBA.
Ai e diskutoi atë gjatë takimeve që kreu atje me kongresmenin republikan Mike Laler. Gjatë takimit Kurti e ka kritikuar vendimin si një verdikt me probleme të forta për të cilin shpreson se mund të korrigjohet në Apel.
“Gjetjet u bazuan në pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore. Ne presim që këto të korrigjohen plotësisht në Apel”, tha ai.
Ditët e fundit është folur shumë për hapat që institucionet e Kosovës mund të ndërmarrin pas këtij vendimi që dënoi me dhjetëra vite burg Thaçin dhe të tjerët.
Çfarëdo të jenë ato, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ofroi mbështetjen e qeverisë së tij ndaj Kosovës, por së pari tha se duhet që Kosova të përcaktojë hapat që do të ndërmarrë.
“Shqipëria s’mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por ata duhet të vendosin të bëjmë gjithçka për ta zhbërë atë vendim kundër atyre katër burrave”, tha Rama.







Komente
Komento