Dënimi me 26 vite burg i Salih Mustafës/ Reagimet ndërkombëtare: Një vendim që forcon sundimin e ligjit në Kosovë

Dënimi me 26 vite burg i Salih Mustafës/ Reagimet ndërkombëtare: Një vendim që forcon sundimin e ligjit në Kosovë

Salih Mustafa

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj Salih Mustafës, ish-komandant në njësinë BIA-s të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, "si një hap të fuqishëm drejt mbështetjes së sundimit të ligjit dhe drejtësisë për viktimat në Kosovë”, shkroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, në një deklaratë për media.

"Siç theksoi Trupi Gjykues, vendimi nuk është aktgjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, por ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të pandehurit”, shkruan më tej Departamenti i Shtetit. "Ky aktgjykim është një hap i fortë për ta ndihmuar Kosovën për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të siguruar drejtësi për viktimat”.

Më tej Departamenti i Shtetit shkruan se "përgëzon guximin e viktimave dhe dëshmitarëve individualë që dolën përpara dhe dënon kërcënimet dhe frikësimet me të cilat janë përballur ata. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundur”, thuhet në deklartë.

Ambasadori gjerman: Nuk është vendim kundër UÇK-së

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Röhde, e përshëndeti vendimin e Gjykatës Speciale të Kosovës duke tërhequr vëmendjen tek viktimat:  "Gjykim i rëndësishëm sot që forcon shtetin e së drejtës. Ky është një aktgjykim ndaj një individi për kryerjen e krimeve të rënda të luftës, jo një aktgjykim ndaj UÇK-së. Po aq e rëndësishme është vendosja e drejtësisë për viktimat - jo mosndëshkim”, shkroi ambasadori gjerman në Twitter.

Raportuesi për Kosovën, nga grupi parlamentar i partisë liberale të Gjermanisë, FDP, Thomas Hacker, u shpreh në një prononcim për DW se ky është një "vendim me efekt sinjalizues”.  Sipas Hacker gjykimi dëshmon vlefshmërinë e parimit se krimet e luftës nuk duhet të mbeten të pandëshkuara askund në botë.

Hacker deklaroi më tej se është me rëndësi që vendimet e Gjykatës Speciale të pranohen dhe të mos instrumentalizohen politikisht. Kjo është e rëndësishme sidomos për  të ardhmen e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor: "Pajtimi është i mundur vetëm nëse aktgjykimet e gjykatave penale hibride pranohen edhe nga shoqëria, edhe nga politika”, ka deklaruar politikani liberal.

Edhe deputetja gjermane e grupit parlamentar opozitar, E Majta, Żaklin Nastic, e përshëndeti vendimin e Gjykatës Speciale: "Një aktgjykim i mirë dhe i nevojshëm! Të gjitha krimet duhet të zbardhen dhe përgjegjësit të dërgohen pas hekurave!”, shkroi deputetja e Bundestag-ut.

Clewing: Hap i mirë drejt çtabuizimit

Ndryshe nga ndërkombëtarët, opinioni kosovar ka reaguar thuajse njëzëri i indinjuar ndaj vendimit për dënimin e Salih Mustafës. Si kryeministri Albin Kurti, ashtu edhe përfaqësues të opozitës dhe analistë të ndryshëm janë shprehur të pakënaqur me vendimin.

Historiani gjerman, Konrad Clewing, e shpjegon këtë me faktin, se ngjarjet e luftës së fundshekullit  të kaluar në Kosovë  janë ende të tabuizuara në shoqërinë e Kosovës. Në një intervistë me DW, Clewing tha se ky "vendim nuk është kundër UÇK-së, por për veprat dhe krimet e bëra nga vetë Sali Mustafa”.

Clewing tha më tej se ky vendim në fakt dëshmon për demokracinë e fortë të Kosovës. Por ai shtoi se "do të ishte mirë që shoqëria kosovare tani të hapej ndaj një debati mbi luftën, në të cilin të trajtohen edhe çështje delikate, siç është për shembull sjellja e UÇK-së ndaj disa përfaqësuesve të LDK-së në periudhën qershor-korrik 1999.” 

Vendimi i Parë i Gjykatës Speciale

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, u dënua të premten, 16.12. 22 nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torture ndaj shqiptarëve. Ishte aktgjykimi  i parë për krime lufte i shprehur nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë. Ish-komandanti i UÇK-së me pseudonimin Llapi ishte shpallur fajtor për krime lufte në kompleksin e Zllashit në vitin 1999.

Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë është krijuar në vitin 2015 me trysninë e Bashkësisë Ndërkombëtare. Ajo heton krimet që pretendohet të kenë bërë disa anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 deri në dhjetor 2000. Ligji për themelimin e Gjykatës Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarëve./DW

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turi: 17/12/2022 20:27

    Nese populli Kosoves do drejtesi atehere duhet te pranoje dhe krimet qe kane kryer disa elemente

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite