Denisa Millo: Mbi AI dhe zëvendësimin e profesioneve të punës

Denisa Millo: Mbi AI dhe zëvendësimin e profesioneve të punës

Foto ilustruese

Karl Popper, studiues i njohur në fushën e historisë politike ka propozuar në punimet e tij teorinë e ekspertëve. Sipas tij, shtyllat e demokracisë ruhen edhe nga ekspertët, pra individët e ditur dhe të studiuar në fusha të caktuara. Roli i ekspertit në sistemin ligjor dhe demokratik sot është i konsoliduar. Por si ndryshon kjo qasje në optikën e zhvillimeve të teknologjive inteligjente? A do të zëvendësohen ekspertët nga Inteligjenca Artificiale? A do të riskohen sistemet aktuale ekonomike nga ‘subjektet e reja makinë’?

Ideja se Inteligjenca Artificiale (AI) do të ‘pushtojë’ ambientin njerëzor të punës ngjashëm me një valë të pakontrollueshme, po qarkullon gjerësisht në media. Qasja instiktive tenton ta çojë njeriun të besojë qoftë në një fjali që  i afrohet frikërave më të mëdha të tij, atyre të ekzistencës studiuar mjaftueshëm nga Frojd, Jung apo Adler. E kur frika për ekzistencë rritet, manipulimi dhe kontrolli rriten njëkohësisht.

Marr shkas nga interpretimet e fundit në media mbi gjetjet e Shënimeve Diskutuese të Stafit (Staff Discussion Notes) të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN-së) mbi “Inteligjencën Artificiale Gjeneruese dhe Të Ardhmen e Punës”.

Së pari duhet qartësuar se çfarë natyre studimore ka materiali i FMN-së. Në hyrje të materialit theksohet se qëndrimet përkatëse janë të stafit të FMN-së dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë qëndrime të FMN-së. Ndërsa një përkufizim i termit “discussion note” nga fjalori Merriam Webster jepet si : “konsiderata mbi një temë/çështje e trajtuar në debat të hapur dhe informal”. Pra, jemi në kushtet kur materiali mbetet në trajtën e një diskutimi mbi ndikimet potenciale të AI në punë, edhe pse me natyrë kërkimore.

Së dyti, të kuptojmë se AI është ende në trajtën e një makine të kontrolluar nga njeriu. Makinë e cila nuk ka vullnet dhe ndërgjegje. AI deri më tani mbetet në trajtën e një modeli statistikor, i cili bazuar në probabilitet dhe të dhëna të shumta gjeneron një rezultat. Bazuar në teorinë e probabilitetit, mundësia lidhur me një ngjarje mund të jetë 99% dhe ajo ngjarje mund të mos ndodhë kurrë, ose të jetë 0% dhe ngjarja ndodh në realitet. Siç shihet, rastësia ka ndikim të madh në vendimmarrjen apo rezultatet e AI-t, dhe saktësia lidhur me çështje sensitive si vërtetësia apo jo e një fakti ende nuk është arritur. Ndërsa Jaron Lanier, një erudit modern, i intervistuar në podkastin e Brian Greene (fizikant i shquar modern) shpjegon se AI deri më tani nuk është entitet i pavarur, qenie me vullnet dhe ndërgjegje, por vetëm një grupim makinash të udhëhequra nga vullnetet njerëzore. Në këtë sens, përgjithësimi probabilistik i një makine nuk nënkupton vërtetësi, dhe kalimi nga llogjika formale në atë probabilitare mbart risqe të shumta, sidomos në fusha të tilla si ligj, mjekësi, media etj.

Së treti, kemi nevojë të orientohemi në media nga studiues të thelluar lidhur me çështjet ekonomike, që parashikojnë ndryshimet në tregje duke përdorur studimet, përvojën e njohuritë e caktuara. Lindja e një sistemi të ri teknokapitalist sikurse shprehet Loretra Napoloeni apo teknofeudalist sipas Yanis Varoufakis, ka nevojë të elaborohet më gjerë nga ekspertët përkatës.

Duke pasur në vëmendje parantezat më lartë mund të shohim edhe hipotezat e ngritura në materialin diskutues të FMN-së të cilat nuk trajtojnë vetëm zëvendësimin e punës, por edhe ide të tjera, që duhen pare si një trup i tërë e reflektojnë shpresë nqs adresohen në mënyrën e duhur nga qeveritë e shteteve të zhvilluara, në zhvillim dhe të pazhvilluara.

1.       Inteligjenca artificiale (AI) pritet të ndryshojë thellësisht ekonominë globale, me disa komentues që e shohin atë si të ngjashme me një revolucion të ri industrial.

2.       Gati 40 për qind e punësimit global është i ekspozuar ndaj AI-së, me ekonomitë e avancuara në rrezik më të madh por gjithashtu më mirë të pozicionuara për të shfrytëzuar përfitimet e AI-së se sa tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim.

3.       AI do të ndikojë në pabarazinë e të ardhurave dhe pasurisë.

4.      Fitimet nga produktiviteti, nëse janë të forta, mund të rezultojnë në rritje më të lartë dhe të ardhura më të larta për shumicën e punëtorëve.

5.       Punëtorët me arsim të lartë janë më mirë të përgatitur për të kaluar nga vendet e punës që janë në rrezik të zëvendësimit në vende pune komplementare; punëtorët më të vjetër mund të jenë më të cenueshëm ndaj transformimit të nxitur nga AI.

6.       Për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e AI-së, prioritetet varen nga nivelet e zhvillimit të vendeve.

Ndaj lindin pyetjet: A çon zëvendësimi i profesioneve në papunësi apo do të ndryshojnë konceptet e punës dhe të papunësisë, përkatësisht?

A do të realizohet pika 2 mbi risqet e punës dhe profesioneve e shkëputur apo do të bashkërealizohet me pikat e tjera mbi përfitimet e shoqërisë si e tërë lidhur me produktivitetin (pika 4), edukimin e vazhdueshëm (pika 5), politikat e zgjuara qeverisëse (pika 3 dhe 6)?

E nëse mund të shkojmë në lëkundje të sistemit aktual ekonomik, mund të pyesim edhe:

Si do të ndryshojnë raportet e njeriut me mjetet e punës?

A do të ndryshojë modeli ekonomik kapitalist në mënyrë thelbësore?

Cfarë forme do të ketë tregu i ri i dominuar nga teknologjitë e dijes dhe si do të ndryshojnë forcat klasike të tij, kërkesë-ofertë?

Si do bëhet rishpërndarja e të ardhurave dhe si do të mbrohet sipërmarrja e lirë, prona intelektuale?

Përpara se t’i lëmë vend panikut mbi zhdukjen, zëvendësimin e profesioneve aktuale apo lindjen e profesioneve të reja, le të përqendrohemi në edukimin individual që çon në njohjen e mjeteve të reja teknologjike. Edukimi i vazhdueshëm nëpërmjet fuqizimit të institucioneve përkatëse arsimore, diskutimet e bazuara në studime konkrete, besimi tek aftësitë personale na heq frikën e panevojshme dhe na rrit përgjegjësinë qytetare lidhur me përdorimin e AI në rrugën e zgjerimit të lirisë.

Referencat

-Karl Popper: The open society and its enemies

-Merriam Webster- Discusson Notes: Kliko këtu linkun

-Discussion Notes IMF: Kliko këtu linkun

-Podcast i Briane Green me Jaron Lanier: Intelligent Thinking About Artificial Intelligence: Kliko këtu linkun

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat