Një platformë e zhvilluar në Shqipëri synon të ndihmojë bizneset dhe institucionet të kontrollojnë mënyrën se si përdorin inteligjencën artificiale dhe të shmangin shkeljet e rregullave ligjore. Bëhet fjalë për ComplyOn AI, e cila prezantua zyrtarisht këtë të hënë në Tiranë. Themeluesja e saj, Anisa Berisha, thotë se kompanitë nuk kanë më të nevojshme vetëm përdorimin e inteligjencës artificiale, por edhe dikë që e kontrollon atë.
"Për drejtuesit e organizatave kjo nuk është vetëm një çështje teknologjike apo rregullatore. Është një çështje biznesi e mirëfilltë. Mungesa e qeverisëse e AI mund të sjellë kosto të paparashikuara, humbje të besimit të klientëve, vështirësi në bashkëpunime ndërkombëtare dhe humbje të mundësive të biznesit. ComplyOn AI është konceptuar si partneri juaj i specializuar në qeverisjen e inteligjencës artificiale që ndërthur ekspertizën, konsulencën, zhvillimin e kapaciteteve dhe teknologjinë", thotë Anisa Berisha.
Startup Albania ka kontribuar në zgjerimin dhe zhvillimin e saj në nivel rajonal. Drejtuesi i saj Arjan Ymeri thotë se ComplyOn AI ka premisat të dalë edhe jashtë kufijve të vendit.
"Ky është lançimi më luksoz që kam parë. Kur them luksoz, do të thotë edhe ambicioz. Ka ambicie të mëdha për të dalë jashtë territorit, për t'u bërë një element kyç se si teknologjia që ne përdorim, dhe aq më shumë startup-et, të cilët 63% të atyre që na vijnë janë me AI", thotë ai.
Por çfarë është ComplyOn AI, dhe si e ndihmon biznesin?
Platforma u vjen në ndihmë organizatave që përdorin inteligjencën artificiale, duke identifikuar programet që kanë në përdorim, rreziqet që mund të krijojnë dhe nëse ato respektojnë kërkesat ligjore. Në mënyrë konkrete, ComplyOn AI ndihmon një biznes të kuptojë nëse programet e inteligjencës artificiale që përdor mbrojnë të dhënat personale, funksionojnë në mënyrë të sigurt dhe nuk cenojnë të drejtat e qytetarëve.
Si shembull konkret, sot shumë biznese kanë AI, nga bankat që e përdorin programe për analizimin e klientëve, të tjera për marrjen e vendimeve dhe analizimin e të dhënave. Këtu lind pyetja, kush e kontrollon AI nëse po bënë gjënë e duhur? Këtu hynë ComplyOn AI, e cila kontrollon dhe gjen gabimet e AI, për ti rregulluar.








Komente
Komento