Dy shqiptarë të identifikuar si Mirush Kula dhe Sami Lame janë arrestuar në Angli për kultivim të lëndëve narkotike. Të dy janë dënuar me 20 muaj burg. Rreth 2 vite më parë, ishin vënë në pranga për një tjetër rast të ngjashëm. Të dy ishin të pranishëm kur policia bastisi banesën ku kultivohej kanabis mbi një lokal në Trafalgar Street, Consett, më 24 mars.
Brenda u gjetën 248 bimë narkotike që do të prodhonin 21 kg kanabis dhe nëse do të dilnin në treg, do të arrinin vlerën nga 70 mijë në 210 mijë paund. Lame ishte liruar në shkurt të këtij viti pasi bëri 9 muaj burg për prodhim kanabisi, shkruajnë mediat e huaja.
Në seancën gjyqësore, u tha se Lame kishte rolin e kujdestarit, ndërsa Kula bënte vetëm ujitjen e bimëve. Pasi doli nga burgu, Lame jetonte në Bedford ku dy persona i ofruan punë dhe e dërguan në Consett. Familja e tij u largua nga Shqipëria dhe tani jeton në Itali, ku gruaja e tij kujdeset për nënën e tij të sëmurë.
Ndërsa Kula nuk di të lexojë apo të shkruajë dhe ka qëndruar në mënyrë të paligjshme për 2 vitet e fundit në Britaninë e Madhe. Qëllimi i tij ishte të gjente punë në ndërtim për të siguruar familjen dhe fëmijët në Shqipëri, por pas goditjes nga pandemia, përfundoi duke u përfshirë në aktivitete kriminale.
Pasi të kryejë dënimin me burg, pritet që të dëbohet, ndërsa Lames pritet të marrë përgjigjen për statusin e azilit.