Biznesmeni Pëllumb Petritaj, njeriu i proceduar disa herë për çështjet e pronave në Vlorë, është dënuar për herë të tretë. “Shqiptarja.com”, ka mundur të zbardhë vendimin e gjykatës së Vlorës, ku Petritaj së bashku me ish-kryeregjistruesen e hipotekës së Vlorës, Blerina Brahimi (Dhrami), janë deklaruar fajtorë dhe dënuar nga gjykata e Vlorës. Sipas vendimit të gjykatës, Petritaj është dënuar me 15 vite burgim për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Ndërkohë duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar rezultoi se dënimi përfundimtar për Petritaj është lënë 10 vite burgim. Për Petritaj, prokuroria kishte kërkuar gjatë dhënies së pretencës, një dënim prej 20 vite burgim. Ky është vendimi i tretë që Pëllumb Petritaj është shpallur fajtor dhe dënuar nga gjykata e Vlorës për çështjen e falsifikimit të pronave në zona të ndryshme të Vlorës. Dënimi i parë është dhënë në mujin Prill 2018, ku Petritaj është dënuar me 3 vite burgim për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave”.

Dënimi i dytë është dhënë nga e njëjta gjykatë, në 24 janar 2020, ku Petritaj u dënua me 5 vite e 4 muaj burgim, për të njëjtat akuza, pasi kishte kryer tjetërsimin e 100 hektarëve në Zvërnec. Dhe dënimi i fundit është dhënë me 10 vjet burgim. Të treja këto çështje tashmë janë Apeluar dhe ende nuk ka dalë një vendim përfundimtar në gjykatën e Apelit Vlorë. Ndërkohë në vendimin e fundit për Petritaj, është dënuar dhe ish-kryeregjistruesja e hipotekës së Vlorës, Blerina Brahimi (Dhrami), e cila ka marrë një dënim prej 2 vite burgim dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5 vjeçare. Njëherësh gjykata urdhëroi asgjësimin e dokumentacionit dhe konfiskimin e 13 parcelave me sipërfaqe mbi 200 hektarë në Zvërnec.