Anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë dënuar sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, teksa Serbisë i është kërkuar që mos të ndërhyjë në Kosovë. Në debatin për situatën në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkuan që Serbia të merret në përgjegjësi, e nga kjo e fundit akuzuan kryeministrin Kurti për, siç kanë thënë, politikat persekutuese ndaj serbëve të Kosovës
Shtensionim të situatës në veri pas sulmit terrorist në Banjskë të Zvecanit dhe kthim të palëve në tryezën e dialogut kanë kërkuar anëtaret e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Gjatë diskutimit për Kosovën në mekanizmin ku Kosova nuk është anëtare por marrin pjesë deputetë të Kosovës me të drejtë fjale, u theksua domosdoshmëria e zbardhjes së gjithë rrethanave të sulmit të 24 shtatorit.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Arben Gashi, tha se prapa sulmit qëndron Serbia duke e strehuar edhe grupin sulmues.
"Më 24 shator në fshatin Banjskë të Zveçanit u shkaktua sulm terrorist ku një grup i armatosur vrau një polic dhe lëndoi dy të tjerë. Serbia që është anëtare e këtij institucioni mbështeti këtë grup paramilitar me armë të rënda. Serbia po vazhdon t'i mbështesë dhe të fshehë të gjitha ata sulmues. Është në përgjegjësinë tonë që ta dënojmë terrorizimin dhe të gjitha format e tij. Prezenca e kampeve të trajnimit në Serbi nuk është vetëm shkelje e normave ndërkombëtare por edhe kërcënim për rajonin. Ne duhet të qëndrojmë bashkë dhe të solidarizohemi kundër terrorizmit. Ne i bëjmë thirrje Serbisë që t'i lëvizë trupat nga Kosova. Prezenca e trupave ushtarake ka potencial për eskalim dhe prishje të paqes. Ne besojmë se dialogu për paqe çon në zgjidhjen e problemeve". theksoi Gashi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Serbisë në Këshillin e Evropës ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti për, siç ka thënë, politikat persekutuese ndaj serbëve në veri.
Serbia është e përkushtuar për dialog dhe paqe por problemi është regjimi i Kurtit. Në Banjskë tre serbë u vranë nga një distancë e afërt edhe pse kishin lënë armët, një tjetër u gjuajt në kokë derisa ishte në tokë. Të gjitha vdekjet duhet të hetohen. E përsëris se kjo ngjarje ndodhi për shkak të terrorit afatgjatë të Kurtit dhe dështimit të bashkësisë ndërkombëtare për ta ndalur atë", ka theksuar Liliana Pantiq, përfaqësuesja e Serbisë.
E, anëtarë të tjerë përfshirë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën e dënuan aktin duke tërhequr paralele me sulmin e paprecedentë të Rusisë mbi Ukrainë, shkruan Koha Ditore. Po ashtu, përfaqësuesja e Bosnjë-Hercegovinës bëri thirrje që Kosova sa më shpejt të pranohet në Këshillin e Evropës.
"Duke para diskutimin mes përfaqësuesve nga të dyja vendet edhe këtu ende ka fluska nën sipërfaqe mes Kosovës e Serbisë. Evropa e di se ku mund të cojë urrejtja. Terrorizmi është i tmerrshëm qoftë në Kosovë apo në Izrael, prandaj të qëndrojmë dhe të solidarizohemi me këta njerëz që po vuajnë. Të aplikojmë mësimet e marrë në Ukrainë edhe në Kosovë po ashtu", tha përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar Ian Presley.
Përfaqësuesi i Ukrainës Aleksander Mereshko, theksoi se situata në Kosovë është shqetësuese dhe ma kujton pushtimin e Rusisë në Ukrainë në vitin 2014.
“Nuk dyshoj se Rusia me veglat e saj në Ballakn po tenton një luftë të re për ta tërhequr vëmendjen nga lufta në Ukrainë. Disa shtete në Ballkan duhet të ndalojnë së shfrytëzuari minoritetet për qëllime kundër sovranitetit të një shteti tjetër. Nuk besoj as se Vuciçi ka iluzion se mund të ketë kontroll në Kosovë, kjo më shumë është një lojë politike", tha ai.
Ndërsa përfaqësuesja e Bosnjë- Hercegovinës, Sabina Gudiç, ka theksuar se “dy të tretat e familjes sonë besojnë fuqishëm se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”.
“Tani është koha dhe se nuk mund të pritet më gjatë për tu hapur derën atyre që duan të bëhen pjesë e Këshillit. Sa ma shumë që zgjatet ky proces, krijohet terren për ndikimet e huaja keqdashëse që të përzihen në Ballkan, sikurse Putini i cili ka ndikim në Beograd dhe në Banja Llukë. Kjo u lejon atyre të krijojnë kriza jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë e vendet tjera të Ballkanit. Qytetarët e Kosovës duhet të kenë qasje në mekanizmat për të drejtat e njeriut. Mund të debatojmë gjatë se kush është fajtor por në fund janë qytetarët që e paguajnë çmimin”, deklaroi Gudiç.
Më 12 maj Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, proces i cili nuk është finalizuar ende.
TURP I GJALLE JANE KETO EUROPIANET...ME KETE VENDIM KOSOVA AS MOS TE FUTET FARE NE BISEDIME
Përgjigju