Nikollaq Neranxi, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Kulturës dhe Historisë së Himarës, denoncon se në Himarë po grabiten pronat e banorëve. Në një shkrim të gjatë në Facebook, Neranxi shkruan se ditët e fundit, në lagjen Spile të Himarës kanë shkuar fadromat për të nisur punën në kuadër të Rikualifikimit Urban, projekt që sipas tij është i paligjshëm, dhe po grabit pronat e banorëve.
“Ne iu folëm duke iu thënë që nuk duhet të fillojnë asnjë punim për faktin se ai projekt është paditur në Gjykatë nga Shoqata për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Kulturës dhe Historisë Himarë dhe investimi që ju po kërkoni të bëni, kalon në prona private, ku banorët, (përfshirë edhe mua) jemi në proces të marrjes së dokumentave të pronësisë. Ndërkohë ata nuk reflektuan por këto ditë, kanë çuar në lagjen Spile Himarë fadromat duke mos pyetur as për ligj dhe as për faktin që po grabisin tokat e atyre me të cilët janë rritur.”-thotë Neranxi.
Neranxi paralajmëron se çështja është në Strasburg dhe se ai bashkë me banorët do të kërkojnë dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar.
“Të ndërtosh mbi një pronë private pa marrë lejen e pronarit dhe pa e shpronësuar atë, është një faj i madh të cilin edhe po ju a falën Gjykatat shqiptare, Strasburgu nuk ju a fal.
Unë në emër të banorëve të Himarës ju bëj thirrje që të largoni urgjentisht nga tokat tona fadromat tuaja grabiqare, sepse po se bëtë, do përballeni me zemërimin tonë dhe ne nuk do t’ju ndahemi këmba këmbës edhe me procese gjyqësore deri në Strasburg dhe ato para që kërkoni t’i fitoni sot mbi kurrizin tonë, do t’i paguani 100 fish nesër!”-mbyll Neranxi reagimin e tij.