Denoncimi i PD: Kryebashkiaku i Mallakastrës u dënua dhe dëbua nga Greqia, por e fshehu! Ismailaj: Asnjëherë s'jam ndaluar! (VIDEO)

TIRANE-Partia Demokratike denoncon se një tjetër kryebashkiak socialist i zgjedhur në 30 Qershor të vitit të kaluar në zgjedhjet lokale është me të kaluar kriminale. Sipas PD-së kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj dyshohet se ka qenë dënuar dhe më pas dënuar nga Greqia në vitit 1999-2000, por e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit. Për rastin, PD-ja njofton se i ka dërguar një kërkesë prokurorisë për të nisur verifikimet.

Në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, sipas njoftimit nga selia blu specifikohet se Qerim Ismailaj, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, për shkak se dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe se në periudhën 1999-2000 ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke.

"Informacionet e Partisë Demokratike tregojnë se Qerim Ismailaj ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, për shkak se “pyetjeve nëse është ndaluar apo arrestuar ndonjëherë nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, nëse është dënuar ndonjëherë nga autoritetet gjyqësore të huaja apo nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj, rezulton se i është përgjigjur me JO” -  theksohet në shkresën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së.

Partia Demokratike deklaron se sipas ligjit të dekriminalizimit pasqyrimi i të dhënave të pasakta dhe të pavërteta në Formularin e vetëdeklarimit, përbën vepër penale dhe sjell skualifikimin e menjëhershëm të subjektit nga kandidimi apo ushtrimi i mëtejshëm i funksionit publik. "Në këtë rast, sjell largimin e menjëhershëm nga detyra të Kryebashkiakut të Mallakastrës dhe ndjekjen e tij penale" thotë PD-ja.  

"Partia Demokratike e Shqipërisë, nisur nga interesi i lartë publik që paraqet kjo çështje, i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme një verifikim dhe reagim institucional të shpejtë, me synim që të arrihet qëllimi kryesor që ka ligji i dekriminalizimit, te largojë personat me te kaluar kriminale të marrin vendime për qytetarët apo të ndikojnë në zgjedhje" mbyllet reagimi i PD-së.

Ndërkohë që pas denoncimit nga Partia Demokratike ka reaguar kryebashkiaku i Mallakastrës, i cili e ka mohuar. "Në asnjë rast dhe rrethanë të tillë nuk kam qene ne kushtet e ndalimit te kandidimit. Jam i hapur për cdo lloj verifikimi të mundshëm. Unë punoj si kryetar, kam deklaruar formularin. Në shtator të 1999 kam filluar punën si mësues. Asnjëherë nuk jam ndaluar nga policia greke. Në Greqi kam motrën, ka pasur një rast familjar sebep, dhe kam qenë atje (para 4 ditëve)" tha Qerim Ismailaj. 

Por replika e Gazment Bardhit ka qenë e menjëhershme këtë herë përmes një deklarate nga selia blu, pas përgënjeshtrimit që kryebashkiaku i Mallakastrës i bëri denoncimit të PD-së. Bardhi e pyet Ismailajn se çfarë i kujton data 25 shkurt e vitit 2000? Gjithashtu ai shtoi se PD-ja shumë shpejt do të publikojë dokumentet që sipas saj vërtetojnë denoncimin kundër Ismailajt.

"Edi Rama i Mallakastrës u përbetua sot para mediave se nuk ka patur asnjëherë probleme me drejtësinë në Greqi.  Në fakt ky është një mashtrim. Ai njëlloj si Edi Rama e di mirë se ka të shkuar kriminale dhe se është i dënuar në shtetin grek. Partia Demokratike po punon dhe shumë shpejt do të provojë për opinionin publik edhe zyrtarisht se Edi Rama i Mallakastrës ka të shkuar kriminale dhe se në bazë të ligjit të Dekriminalizimit nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik.  Në fakt kjo nuk është detyrë as e Partisë Demokratike dhe e asnjë partie politike në vend, detyrë për të zbatuar ligjin e Dekriminalizimit e ka në radhë të parë njeriu që i kandidon këta kriminelë në pozicione publike dhe pas tij organi i Prokurorisë së Përgjithshme.

Ajo që ka vërejtur Partia Demokratike gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë një sorollatje e pajustifikuar e procedurave të verifikimit nga ana Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu, organi i prokurorisë ka dështuar në të gjitha rastet të zbatojë në mënyrë të plotë ligjin e Republikës së Shqipërisë, por asnjë nga rastet nuk rezulton të jetë zbatuar ligji antimafia dhe kriminelët e Edi Ramës, kriminelët që Edi Rama t’i fuste në politikë sot gëzojnë të paprekur pasurinë e vënë nga veprimtaria e tyre kriminale. Për t’iu kthyer rastit të Mallakastrës që provon edhe një herë, e ripërsëris bashkëqeverisjen e Edi Ramës me krimin në vend, dua t’i drejtoj një pyetje publike se çfarë i kujton Edi Ramës së Mallakastrës data 25 shkurt 2000?

Sot nuk është koha për mashtrime, është koha për veprim nga organi i prokurorisë, është koha që ligji të veprojë dhe është koha që Edi Rama të mos fshihet pas Qerim Ismailajt, Valdrin Pjetrit, Agim Kajmakut dhe Mark Babanit, por të dalë dhe të marrë përgjegjësi dhe t’u shpjegojë qytetarëve shqiptarë se përse alternativa e tij e vetme është krimi i organizuar. Përse kandidon në bashkitë bastion të Partisë Demokratike individë me të shkuar kriminale? Përse të tenton të fusë në politikë individë me të shkuar kriminale? Shqiptarët e kanë të qartë, Edi Rama nuk fiton dot pa bashkëpunimin me krimin e organizuar, nuk qeveris dot pa ndarë pushtet me krimin e organizuar, prandaj përgjigja e shqiptarëve do të jetë e shpejtë dhe pa asnjë hezitim" tha ai.

Ky është denoncimi i katërt i PD-së për kryebashkiakët e PS-së, pas Valdrin Pjetrit të Shkodrës që u largua nga detyra, pasi i doli dënimi në Itali, Agim Kajmakut të Vorës që i doli dënimi në Greqi, gjithashtu selia blu kërkoi verifikimin e Mark Babanit të Vaut të Dejës dhe rasti i sotëm i Mallakastrës.

Kerkesa e PD-se drejtuar prokurorise per verifikimin e Qerim Ismailajn

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës