TIRANË- Partia Demokratike ka denoncuar se Ministria e shëndetësisë u ka shpërndarë mjekëve maska të skaduara që në vitin 2011, çka ka sjellë irritim deri në vështirësi frymëmarrje për disa mjek. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i shoqëruar nga dy ish- deputetë, Albana Vokshi dhe Bardh Spahia i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe atyre në rrethe që të nisin hetimet për 1 milion e 200 mijë maskave që ka shpërndarë ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu mjekëve në Shqipëri, si masë mbrojtëse për koronavirusin.

Një veprimtari kriminale, e ka quajtur Bardhi, duke kërkuar që të merren masat urgjentisht për sekuestrimin e këtyre kutive, sipas së cilit mbajnë datën 20 dhjetor 2011, në të kundërtën situata do bëhet tragjike.

"Përdorimi i këtyre maskave, 1 mln 200 mijë maska, kemi marrë një denoncim që ka përdorimi i tyre kemi irritim, në disa raste ka shkuar në probleme me frymëmarrjen. Nuk donim të besonim që ishte e vërtetë. Sot jemi njohur me një fakt tronditës, me një akt kriminal. Këto kuti që kanë pajisur mjekët me maska ka një pullë që ka bllokuar datën e skadencës së këtyre maskave. Data e skadencës është 20 dhjetor 2011. Kjo tregon që ministria e shëndetësisë janë përfshirë në një veprimtari kriminale. Nuk janë mjete mbrojtëse, por mbetje mjekësore që duhet 'i ishin nënshtruar procedurës së asgjesimit. Mjekët janë sot të rrezikuar", bën me dije Bardhi.

Një denoncim i tillë vjen nga grupi i ekspertëve që është ngritur pranë Partisë Demokratike, të cilët kanë ushtruar disa kontrolle në disa prej ambienteve spitalore në vend për të monitoruar se si po menaxhohet situata lidhur me koronavirusin. Ky grup është krijuar që në fillim, atëherë kur ky virus po merrte përmasa të mëdha në Itali. Aktualisht në Shqipëri, janë prekur nga koronavirusi 10 persona; babë e bir dhe 6 familjarë të të tyre dhe dy raste të tjera që s'kanë lidhje me të parë, një në Durrës dhe një që vinte nga Milano. 


Lajmi kryesor:

1.2 milionë maska të skaduara/ Basha: Po rrezikoni jetën e mjekëve, akt kriminal! Rama: Po helmoni mendjen e qytetarëve, nuk janë të rrezikshme