Një ditë pasi Report Tv raportoi krimin mjedisor në fshatin Izvor të Memaliajt ka reaguar Kujtim Llapi, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Vlorë duke thënë se nuk janë mbetjet spitalore nga spitalet shtetërore.

Në një reagim thotë se kanë parë nga afër markat e shiringave dhe serumeve por nuk janë të ngjashme me ato te spitalit shtetëror. Megjithatë kanë dërguar një grup inspektvimi në terren dhe presin përgjigjen përfundimtare.

“Nuk rezulton se janë  mbetjet tona. Ambalazhet e medikamenteve që kemi parë në pamjet e Report TV nuk përdoren nga spitalet shtetërore. Kemi krahasuar listën me 47 barna që përdorim ne, me markat e shiringave dhe serumeve qe ndodhen në këtë vendgrumbullim dhe nuk janë të ngjashme.

Si procedurë ligjore, qendra shëndetësore Izvor dhe Spitali Tepelenë kanë kontratë me një kompani private për asgjësimin e mbetjeve dhe në çdo rast mbahet procesverbal. Gjithashtu në vendngjarje ka shkuar një grup inspektimi dhe presim përgjigjen përfundimtare. Institucioni përgjegjës për ta ndjekur këtë çështje është Inspektori Shëndetësor Shtetëror”, tha Llapi.

Në pamjet e transmetuara një ditë më parë nga Report Tv dukeshin shiringa, shishe serumi, ampula, ambalazhe te mjekimeve të ndryshme gjenden në pirg mbeturinash fare pranë zonës së banuar, vetëm 10 metra larg shtëpisë së parë.

Mbetjet spitalore janë burim infeksioni për më shumë se 500 banorët e fshatit Izvor e sidomos fëmijët që kalojnë çdo ditë në këtë përrua. Po kështu në këtë pirg hidhen mbeturinat urbane pasi fshatrat e Memaliaj kanë mungesë të kontejnerëve. Ndonëse banorët paguajnë tarifën e gjelbërimit, nuk ka asnjë reagim nga institucionet për pastrim.

Plehrat degdisen ne përrua e me pas përfundojnë në lumin Vjosë.