Më 14 shtator 1943, në Gërhot të Gjirokastrës, një përplasje e përgjakshme mes forcave shqiptare, pas kapitullimit të ushtrisë italiane i mori jetën Hysni Lepenicës dhe dhjetëra luftëtarëve të Ballit Kombëtar.

Mes tyre ishte edhe Hasani, babai i Tajos Xhaferit, i cili në atë kohë ende nuk kishte lindur. Përmes kujtimeve familjare, dëshmive historike dhe dokumenteve arkivore, kjo ngjarje rikthehet në vëmendje, së bashku me pasojat që la pas për familjet e të vrarëve.

Tajo Xhaferi, i biri i Hasanit, ka rrëfyer për emisionin Dosja K. në Report Tv detaje nga ngjarja. Më 14 shtator 1943, në Gërhot të Gjirokastrës, një marrëveshje për marrjen në dorëzim të armatimeve të ushtrisë italiane, pas kapitullimit të saj, përfundoi në një përplasje të përgjakshme. Në këtë ngjarje humbën jetën Hysni Lepenica dhe dhjetëra luftëtarë të Ballit Kombëtar.

Çfarë ndodhi atë ditë në Gërhot? Pse një marrëveshje e arritur mes palëve përfundoi në gjakderdhje? Dhe cilat janë dëshmitë që, përgjatë dekadave, kanë sjellë interpretime të ndryshme mbi përgjegjësitë dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje?

Historia e Gërhotit është një nga episodet më të dhimbshme të përçarjes politike dhe ushtarake mes shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, armatimet dhe municionet e ushtrisë italiane u kthyen në objekt përballjeje mes forcave politike shqiptare, ndërsa mosbesimi dhe konfliktet për të ardhmen e vendit po thelloheshin.

Mes emrave të atyre që humbën jetën ishte edhe Hasan Xhaferi, luftëtar i Ballit Kombëtar dhe babai i Tajos, i cili do të lindte tre muaj pas vrasjes së tij.

Për Tajon, masakra e Gërhotit nuk ishte vetëm një ngjarje historike. Ajo shënoi fillimin e një historie të gjatë vuajtjesh për familjen e tij: një fëmijëri pa të atin, një shtëpi të djegur, vite të kaluara në mal dhe, sipas dëshmisë së tij, përndjekje edhe pas përfundimit të luftës.

“Unë jam Tajo Xhaferi. Jam djali i njërit prej dëshmorëve që ka rënë në Gërhot, dëshmorëve të Ballit, ndër të parët që ranë atje”, tha mes të tjerash Tajo Xhaferi.

“Unë jam djalë picariot, nga Picari i Gjirokastrës. Jam djali i Hasan Xhaferit, dëshmor i kombit shqiptar. Ai u shpall dëshmor nga autoritetet e asaj kohe dhe më pas u ripohua si i tillë me ardhjen e demokracisë”, shtoi më tej Tajo Xhaferi.

Në kujtesën e familjes Xhaferi, humbja e Hasanit lidhet drejtpërdrejt me rrethanat e përplasjes në Gërhot. Sipas Tajos, luftëtarët shqiptarë ishin paraqitur atje në bazë të një marrëveshjeje për marrjen në dorëzim të armatimeve italiane. Ai përcjell rrëfimet që, sipas tij, ka dëgjuar nga persona të pranishëm në ngjarje.

“Ata janë vrarë pabesisht, janë tradhtuar. Kishin rënë dakord, siç e kam dëgjuar nga njerëzit që kanë qenë të pranishëm, nga Zigur Goxho dhe shumë të tjerë. Babai im, kur pa se marrëveshja po prishej, u tha: ‘Djem, ikni, kush ka mundësi të largohet!’. Në fillim hezituan, sidomos të rinjtë. Pastaj u tha: ‘Më mirë të ikni, sesa t'ju vrasë italiani. O ikni, o do t'ju vras unë!’. Shumica u larguan, ndërsa disa prej tyre vendosën të qëndronin”, theksoi Tajo Xhaferi.

Sipas rrëfimit të Tajos, marrëveshja parashikonte që luftëtarët shqiptarë të merrnin në dorëzim materialet ushtarake të divizionit italian dhe të shoqëronin trupat e tij deri në Sarandë, me qëllim largimin nga vendi.

“Ishin marrë vesh që, pas kapitullimit të italianëve, të shkonin në Gërhot për të marrë materialet, kryesisht municionet, dhe t'i shoqëronin deri në Sarandë, ku do të largoheshin. Në krye të tyre ishte Hysni Lepenica, komandanti i Ballit në atë kohë. Sipas asaj që kam dëgjuar, tre persona nga partizanët, së bashku me një oficer anglez, shkuan nga prapa dhe u kërkuan italianëve t'i vrisnin luftëtarët shqiptarë, duke u premtuar se do t'i shoqëronin ata vetë”, tha Tajo Xhaferi.

Tajo i referohet edhe shënimeve të një prifti italian, Giovanni Bonomi, i cili ndodhej pranë trupave italiane dhe, sipas tij, kishte dokumentuar ngjarjet e asaj periudhe.

Ai kundërshton versionin që e paraqet të atin si bashkëpunëtor të gjermanëve, duke sjellë si argument edhe djegien e shtëpisë së familjes nga ushtria gjermane.

“Thuhet krejt e kundërta e asaj që na kanë thënë neve, se ballistët kanë qenë tradhtarë dhe bashkëpunëtorë. Unë sjell një shembull të pakundërshtueshëm: nëse ballistët, përfshirë edhe babain tim, që ishte komandant çete, do të kishin bashkëpunuar me gjermanët, atëherë pse do të digjej shtëpia jonë? Përkundrazi, shtëpia jonë në Picar ishte e para që dogji ushtria gjermane. Si mund të ishte babai im bashkëpunëtor me gjermanët, kur ata i dogjën shtëpinë?”, tha mes të tjerash Tajo Xhaferi.

Për të kuptuar më mirë rrethanat e ngjarjes, dëshmia e Tajos ndërthuret me dokumente historike dhe studime të historianëve që janë marrë me masakrën e Gërhotit.

Historiani Enver Memishaj e ka trajtuar këtë episod në një intervistë për emisionin “Dosja K”, në dokumentarin kushtuar Hysni Lepenicës. Ndërsa historiani Uran Butka, në shkrimet e tij, ka sjellë një tjetër interpretim të zhvillimit të ngjarjes.

Sipas Butkës, çetat e Ballit Kombëtar, të komanduara nga Hysni Lepenica, u goditën papritur nga forcat italiane në Gërhot, më 14 shtator 1943, ndërsa kishin shkuar për të marrë në dorëzim armatimet dhe për të shoqëruar ushtarët e divizionit italian “Perugia” nga Gjirokastra drejt bregdetit, në bazë të një marrëveshjeje të mëparshme.

Dëshmitë e kohës janë një tjetër element i rëndësishëm për rindërtimin e ngjarjes. Mes tyre veçohen kujtimet e priftit italian Giovanni Bonomi dhe një pjesë e relacionit të hartuar nga ushtaraku italian Mario Bronzini.

Në kujtimet e tij, Bonomi përshkruan afrimin e luftëtarëve shqiptarë drejt pozicioneve italiane, duke vënë në dukje se ata mbanin flamuj të kuq me shqiponjën shqiptare, të cilët i identifikonte si nacionalistë.

Ai tregon se trupat italiane ishin vënë në gatishmëri dhe kishin zënë pozicionet mbrojtëse, ndërsa nga komanda ishte dhënë urdhri për të mos hapur zjarr, përveç rastit kur do të sulmoheshin.

Sipas përshkrimit të tij, rreth orës 16:45, luftëtarët shqiptarë ndodheshin shumë pranë pozicioneve italiane dhe situata ishte bërë gjithnjë e më e tensionuar.

Një përshkrim më të detajuar të momentit kur shpërtheu përplasja e jep ushtaraku italian Mario Bronzini në relacionin e tij.

Në dokument, ai shkruan se nacionalistët, duke thirrur “vëllezër”, nisën çarmatimin e rojeve në një pikë të fortifikuar në anën e djathtë të qytetit. Pas këtij veprimi, komandat italiane u vunë në lëvizje, duke përcjellë informacionin nga njëra strukturë te tjetra.

Bronzini përshkruan se, ndërsa komandat po përpiqeshin të koordinonin veprimet, luftëtarët shqiptarë kishin marrë nën kontroll një pjesë të fortifikimit dhe kishin siguruar edhe një armë antitank.

Në vijim të relacionit, ai shkruan se një e shtënë armë shërbeu si sinjal për hapjen e zjarrit nga e gjithë linja mbrojtëse italiane, duke përfshirë topat dhe armët e tjera të zjarrit.

Sipas tij, përplasja vijoi deri rreth orës 19:00 dhe përfundoi me një numër të madh viktimash nga pala shqiptare. Në dokumentin e tij, Bronzini përmend gjithashtu rreth 15 të plagosur nga pala italiane dhe një ushtar të vrarë, Giuseppe Nuovon, për të cilin shprehet se mund të ketë qenë personi që hapi zjarrin.

Këto dëshmi italiane japin hollësi mbi afrimin e luftëtarëve shqiptarë, pozicionet ushtarake dhe momentin e shpërthimit të përplasjes. Megjithatë, ato nuk japin një përgjigje përfundimtare mbi të gjitha rrethanat që çuan në gjakderdhje.

Përtej interpretimeve të ndryshme historike, një fakt mbetet i pamohueshëm: Gërhoti u kthye në një tragjedi që la pas dhjetëra familje të goditura nga humbja e njerëzve të tyre të dashur.

Për familjen Xhaferi, pasojat nuk përfunduan me vrasjen e Hasan Xhaferit. Ato vazhduan edhe pas përfundimit të luftës.

Në Picar, prej nga vinte familja, kujtesa e të rënëve u ndërthur me djegien e banesave, largimin nga shtëpitë dhe vitet e vështira të mbijetesës.

Tajo Xhaferi nuk e njohu kurrë të atin. Ai lindi tre muaj pas vrasjes së tij, ndërsa nëna ishte shtatzënë në muajin e shtatë kur Hasani u vra në Gërhot.

“Erdhi gjermani dhe na dogji shtëpinë. Nuk kishim ku të qëndronim. Nuk dogjën vetëm shtëpinë tonë, por pothuajse gjithë fshatin. Vetëm pesë apo gjashtë shtëpi pranë nesh shpëtuan. Shtëpia jonë u dogj e para, sepse babai kishte qenë komandant çete dhe në të kishte edhe municione. Kur filluan shpërthimet, u dogjën edhe shtëpitë e tjera përreth. Ne jetuam në majë të malit derisa u larguan gjermanët”, tha Tajo Xhaferi.

“Unë kam lindur në fshat, madje në shtëpinë e një komshiu tonë”, theksoi Tajo Xhaferi.

Pas djegies së banesës, familja u detyrua të largohej dhe të gjente strehim në male. Sipas kujtimeve të Tajos, vitet e para të jetës u shoqëruan me varfëri dhe vështirësi të mëdha, ndërsa edhe sigurimi i ushqimit dhe i qumështit për të ishte një sfidë.

“Kam vuajtur edhe për bukën e gojës, për qumështin. Mamaja u sëmur dhe kam pasur shumë vështirësi”, tha Tajo Xhaferi.

“Djali i xhaxhait të babait tim kishte një bashkëshorte që kishte lindur një vajzë, shtatë muaj më të madhe se unë. Ajo na merrte të dyve, njërin në njërin gju dhe tjetrin në gjurin tjetër, dhe na jepte për të pirë. Kështu që unë kam edhe një nënë qumështi”, tha mes të tjerash Tajo Xhaferi.

“Pastaj filluam të ndërtonim shtëpi, si gjithë të tjerët, me kasolle dhe banesa të thjeshta, dalëngadalë”, deklaroi Tajo Xhaferi.

Por për familjen Xhaferi, përfundimi i luftës nuk solli fundin e vuajtjeve. Sipas Tajos, fakti që i ati kishte qenë pjesë e Ballit Kombëtar ndikoi në mënyrën se si familja u trajtua pas vendosjes së regjimit komunist.

Një nga paradokset që ai kujton është se, ndërsa i ati kishte luftuar në radhët e Ballit Kombëtar, vëllai dhe motrat e tij ishin bashkuar me forcat partizane, pa e kuptuar ende përmasën e përçarjes që po krijohej mes shqiptarëve.

“Në kohën kur u vra babai im, lufta vëllavrasëse ende nuk kishte filluar. Për shkak të vrasjes së tij, dy motrat dhe vëllai im i madh, i cili ishte vetëm 15-16 vjeç, u bashkuan me partizanët. Ata nuk i dinin ende këto kundërshti, sepse përçarja nuk kishte arritur atë pikë. Prandaj, nuk e konsideroj të drejtë trajtimin që na është bërë më pas. E quaj shumë të pavend”, tha Tajo Xhaferi.

“Babai im u vra si ballist në Gërhot, por dy motrat, vëllai dhe kushëriri i parë, të gjithë nga e njëjta familje, ishin partizanë. Të gjithë luftonin jo për një parti, por për kombin, për popullin, për vendin dhe atdheun, që kombi ynë të mos zhdukej”, nënvizoi Tajo Xhaferi.

Sipas Tajos, përndjekja e familjes vazhdoi gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, duke ndikuar në mundësitë e tij për arsimim dhe punësim.

“Gjatë gjithë kohës ne jemi përndjekur”, tha Tajo Xhaferi.

“Kam lindur tre muaj pas vrasjes së babait. Jam jashtëzakonisht i indinjuar, sepse nuk na u dha asnjë e drejtë. Nuk m'u dha e drejta për të studiuar, nuk m'u dha mundësia të punoja aty ku mundesha apo aty ku dëshiroja. Këto janë gjëra që kanë ndodhur në familjen tonë”, theksoi Tajo Xhaferi.

Masakra e Gërhotit, më 14 shtator 1943, mbetet një nga episodet më të dhimbshme të historisë shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Interpretimet mbi përgjegjësitë dhe rrethanat e saj vazhdojnë të jenë objekt diskutimi historik, ndërsa dokumentet dhe dëshmitë e kohës ofrojnë këndvështrime të ndryshme për atë që ndodhi.

Por përtej debateve politike dhe historike, kjo ngjarje mbart edhe historinë njerëzore të familjeve që humbën njerëzit e tyre të dashur. Historia e Hasan Xhaferit dhe e të birit, Tajos, dëshmon se pasojat e luftës nuk përfunduan në fushëbetejë. Ato vazhduan në jetën e fëmijëve që u rritën pa prindër, të grave që përballuan vetminë dhe të familjeve që u detyruan të rindërtonin jetën mes varfërisë, pasigurisë dhe përndjekjes.