Policia e Kurbinit ka arrestuar 30-vjeçarin Aleksandër Fadili, i cili pak ditë më parë denoncoi si të humbur shokun e tij. Policia bën me dije se 30-vjeçari dyshohet të jetë autori i zhdukjes së shtetasit F. F., 30 vjeç, banues në Peqin-Elbasan.
Ndërkohë, vazhdojnë hetimet për gjetjen e trupit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Denoncon humbjen e shokut, arrestohet si autor i dyshuar i zhdukjes së shtetasit të humbur. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 29.04.2018, ku ka humbur kontaktet shtetasi F.F. 30 vjeç, banues në Peqin - Elbasan, ju informojmë se:
Nga efektivët e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, pas një pune disa javore hetimore të mirëfilltë, të mirëorganizuar dhe me përdorimin e metodave speciale të hetimit, bazuar në provat shkencore të siguruara u bë ndalimi i shtetasit:
Aleksandër Fadili, 30 vjeç, banues në Peqin - Elbasan ( i cili ka bërë denoncimin e humbjes së shtetasit F.F.), pasi ky shtetas dyshohet si autori i zhdukjes së shtetasit F.F.
Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit si dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes. Materialet proçeduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprën penale " Vjedhje me pasojë vdekjen" parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal.