Një paketë prej 210 milionë dollarësh, që përfshin dy sisteme raketore HIMARS, u miratua për shitje nga SHBA për Shqipërinë, duke i hapur rrugë një kapaciteti të ri për Forcat e Armatosura. 

Himars është një sistem raketor amerikan, i krijuar fillimisht si artileri sulmi me rreze të gjatë, por që përdoret dhe për mbrojtje. Shqipëria do të blejë dy sisteme të tilla, që përfshin edhe municione, automjete të blinduara, pajisje komunikimi, trajnime dhe mbështetje teknike.

Departamenti i Shtetit ka miratuar shitjen dhe ka njoftuar Kongresin amerikan. Financimi bëhet përmes një kredie prej 302 milionë dollarësh që Shqipëria ka marrë përmes programit amerikan FMF.

Në kërkesën e Shqipërisë përfshihen dy sisteme HIMARS, 12 pod-e me municione të drejtuara GMLRS, 8 sisteme taktike të drejtimit të zjarrit IFATDS, dy automjete të blinduara HMMËV, si dhe pajisje për navigim, mirëmbajtje, transport dhe mbështetje logjistike. Paketa parashikon gjithashtu municione stërvitore, pjesë këmbimi dhe trajnim të personelit ushtarak shqiptar.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, kjo shitje synon të forcojë sigurinë e Shqipërisë, si aleate e NATO-s, dhe të rrisë aftësinë e saj për t'iu përgjigjur kërcënimeve aktuale dhe të ardhshme. Sistemet e propozuara do t'i japin Forcave të Armatosura kapacitete të reja për goditje precize në distanca të gjata, duke rritur njëkohësisht kontributin e vendit në planet e mbrojtjes së Aleancës.

Kontraktori kryesor i projektit do të jetë kompania amerikane Lockheed Martin, ndërsa zbatimi i programit do të mbështetet edhe nga specialistë amerikanë, të cilët parashikohet të udhëtojnë në Shqipëri për menaxhimin, dorëzimin e pajisjeve dhe trajnimin. Departamenti i Shtetit vlerëson se shitja nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon dhe nuk do të ndikojë negativisht në kapacitetet mbrojtëse të SHBA-së.

Por çfarë është sistemi HIMARS?

Ai është një sistem raketor artilerie me lëvizshmëri të lartë, montohet mbi një automjet të lehtë dhe mund të zhvendoset shpejt në terren. Sistemi përdor municione të drejtuara me precizion dhe është projektuar për të goditur objektiva në distanca të largëta. HIMARS përdoret nga ushtria amerikane dhe disa vende aleate të NATO-s, duke u konsideruar një nga sistemet moderne të artilerisë.

Ministria e Mbrojtjes e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se pajisja me HIMARS do të forcojë mbrojtjen e vendit dhe rolin e Shqipërisë në NATO. Megjithatë, bëhet fjalë për një shitje të miratuar në fazën e mundshme, e cila do të vijojë me procedurat dhe negociatat për realizimin e saj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:30
DASH miraton shitjen e sistemit raketor HIMARS për Shqipërinë Nufi: Forcon mbrojtjen e vendit dhe kontributin tonë në NATO

Foto: Ermal Nufi

Ministri i Mbrojtes Ermal Nufi ka reaguar pas lajmit se Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e sistemit raketor HIMARS për Shqipërinë.

Në një postim në rrjete sociale Nufi shprehet se me këto sisteme, Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të fitonin aftësinë për të vepruar me saktësi në distanca të gjata, duke forcuar mbrojtjen e vendit dhe kontributin tonë në NATO.

“Shqipëria ka kërkuar të pajiset me dy sisteme të artilerisë raketore M142 HIMARS. Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme dhe ka njoftuar Kongresin amerikan.

Paketa e propozuar, me vlerë të përllogaritur prej 210 milionë dollarësh, përfshin edhe municione, trajnim për ushtarakët shqiptarë dhe mbështetje për mirëmbajtjen e sistemeve. Për financimin e saj parashikohet një kredi nga programi amerikan i financimit ushtarak - FMF.

E mirëpresim këtë hap në bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara. Me këto sisteme, Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të fitonin aftësinë për të vepruar me saktësi në distanca të gjata, duke forcuar mbrojtjen e vendit dhe kontributin tonë në NATO”, shkroi ministri Nufi.