Depozitat e biznesit u rritën me ritme më të larta gjatë vitit të kaluar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të nëntorit 2025 vlera e depozitave të biznesit në banka arriti në 383.9 miliardë lekë, në rritje me 6.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e depozitave të biznesit ishte më e lartë krahasuar me vitin paraardhës, kur, për njëjtën periudhë, depozitat e biznesit ishin rritur me afërsisht 3%.

Depozitat e biznesit përbëjnë rreth 21.3% të totalit të depozitave bankare në Shqipëri. Pesha e tyre specifike ka rënë krahasuar me një vit më parë, kur ato përbënin rreth 21.7% të totalit.

Kjo tregon se depozitat në segmentin e individëve vazhdojnë të rriten me norma më të larta. Në fund të nëntorit 2025, ato ishin në rritje vjetore me 9.5% dhe përbënin 78.7% të depozitave totale në banka.

Në periudhën pas pandemisë, depozitat lanë ndjekur një tendencë rritje me ritme relativisht të larta, si në segmentin e individëve, ashtu edhe në atë të bizneseve. Në veçanti, në harkun e pesë viteve të fundit, depozitat e bizneseve janë rritur me më shumë se 82%.

Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, rritja e depozitave të bizneseve mund të shpjegohet me disa faktorë, ku përfshihen përmirësimi i likuiditetit dhe i gjendjes financiare të bizneseve, në përgjigje të rikuperimit të shpejtë të aktivitetit ekonomik, menaxhimi më aktiv i likuiditetit nga ana e bizneseve për mbajtjen e kostove nën kontroll dhe vijimi i mbështetjes me kredi nga sektori bankar.

Në një këndvështrim afatgjatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e depozitave të bizneseve reflekton formalizimin dhe dixhitalizimin e ekonomisë, si dhe qasjen më të madhe të bizneseve pranë bankave. Gjithashtu, sipas Bankës së Shqipërisë, kjo rritje është mbështetur edhe nga përmirësimet në infrastrukturën financiare si në drejtim të shtrirjes gjeografike, ashtu dhe shumëllojshmërisë së produkteve bankare.

Struktura e depozitave të bizneseve dominohet nga llogari rrjedhëse dhe depozita pa afat, çka tregon preferencën e bizneseve për t’i mbajtur fondet në instrumente likuide pranë bankave. Vlerësohet se afërsisht 80% e depozitave të bizneseve janë likuide.

Ndërkohë, edhe struktura valutore e depozitave të bizneseve ka pasqyruar rritjen e shpejtë të depozitave në valutë gjatë viteve të fundit, të cilat janë ushqyer nga ecuria pozitive dhe në përmirësim e turizmit në vend.

Ndërkohë, vlerësohet se dinamika e depozitave të bizneseve përcaktohen në një masë të madhe nga masa e realizimit të shpenzimeve dhe të deficitit buxhetor të qeverisë gjatë vitit.

Në tre vitet e fundit, buxheti është karakterizuar nga deficite në ulje dhe madje ka qëndruar në suficit gjatë pjesës më të madhe të vitit. Vlerësohet se kjo mund t’i ketë ngadalësuar disi ritmet e rritjes së depozitave të biznesit në periudhën 2024-2025./Monitor