Dhe nuk janë pak, por mbi 20 deputetë nga grupi i 36 deputetëve të lënë jashtë listave ata që janë grupuar dhe që pritet që së shpejti të reagojnë me pozicionim të qartë ndaj kryeministrit Berisha. Kështu, burime brenda disa prej degëve të PD si në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Fier dhe Lushnjë bëjnë me dije se shumë shpejt do të legalizohet dhe publikohet një grupim i ri i djathtë me ish eksponentë dhe deputetë aktualë demokratë.
Ata do të shpallin kundërshtinë dhe platformën e re kundër liderit autoritar Berisha. Të kontaktuar nëpërmjet telefonit disa nga deputetët e “lënduar” nga moskandidimi janë shprehur se shpejt do të dalin publikisht për të folur mbi eliminimin e tyre nga listat e PD si dhe futjen në radhët e kandidatëve të ish-socialistëve si Kastriot Islami e Asllan Dogjani në listat e kryeqytetit.
Mësohet se kanë kërkuar në mënyrë ultimative që Berisha të shprehet në lidhje me këtë përfshirje, çka i detyroi dhe në prezantimin e kandidatëve për deputetë, të mos merrnin pjesë në hapjen zyrtare të fushatës në Tiranë.
Njëherësh kanë kërkuar shpjegime nga Berisha se përse u kandiduan krerët e partive aleate, duke lënë jashtë kontributorë të PD, që ishin qëndrestarë e janë përballur me opozitën e dhunshme gjatë këtyre viteve.
Por nga ana tjetër, duke pasur parasysh se vetëm kohë më parë Berisha kishte deklaruar se këto zgjedhje janë basti i tij dhe kandidatët për deputetë do t’i caktonte vetë, deputetët e lënë jashtë listave kanë kërkuar të dinë se cilat kanë qënë kriteret mbi të cilat janë përzgjedhur kandidatët për deputetë të PD, që sipas tyre nuk përfaqësojnë palcën e partisë por janë përfaqësues të grupeve klienteliste.
Ata kanë kërkuar të dinë nëse ka pasur konsultime me bazën për përzgjedhjen e kandidatëve. Por kanë hyrë dhe në disa detaje konkrete, teksa kanë dashur të dinë se cili ishte shkaku i largimit të kreut të PD të Tiranës Bumçi dhe kandidimi i tij në Lezhë.
Nga ana tjetër kanë kërkuar të dinë se kush mban përgjegjësi për përzgjedhjen e listave të kandidatëve, të cilat krijojnë idenë e humbjes së zgjedhjeve dhe përdorimin si strehë të qeveritarëve. Burime brenda të larguarve nga PD bëjnë me dije se përjashtimi i tyre është bërë për shkak të kundërshtive të herëpashershme në mbledhjet e grupit parlamentar të PD.
Duket se ata janë vënë në rreth nga kreu i PD si klan i njërës palë apo i palës tjetër në parti. Sipas tyre, Berisha ka bërë këtë spastrim me qëllim që të eliminojë zërat kundër tij dhe të përfolurit si pasardhës të tij, Bashës, duke shtruar rrugën e ngjitjes së tij.
Njëherësh fraksioni i cili po përvijohet në PD nuk ka përcaktuar se kë do mbështesë në këto zgjedhje, por deri më tani ende s’ka marrë pjesë asnjë ditë në fushatën e 23 qershorit.
DISA NGA KËRKESAT E KUNDËRSHTARËVE TË BERISHËS
▪ Pse u kandidua Islami dhe Dogjani në Tiranë duke lënë jashtë figura potenciale të PD?
▪ Pse u kandiduan krerët e partive aleate, duke lënë jashtë kontributorë të PD?
▪ Cilat kanë qënë kriteret mbi të cilat janë përzgjedhur kandidatët për deputetë të PD.
▪ A ka pasur konsultime me bazën për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.
▪ Cili ishte shkaku i largimit të kreut të PD për Tiranën dhe kandidimin e tij në një qark tjetër?
▪ Kush mban përgjegjësi për përzgjedhjen e listave të kandidatëve, të cilat krijojnë idenë e humbjes së zgjedhjeve dhe përdorimin si strehë të qeveritarëve?
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.02.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)