Zhvillimet brenda PD-së nuk kanë qenë të volitshme kohët e fundit për kreun demokrat Lulzim Basha, i cili po has në një qëndresë të alternuar të bazës dhe kupolës blu. Për më tepër që deklaratat kërcënuese të Bashës ndaj Ramës janë bërë burim humori në radhët e grupit parlamentar dhe të strukturave drejtuese të PD-së, teksa e kanë krahasuar me aktorët e emisioneve televizive humoristike.

Tentativa e kryetarit demokrat që përmes udhëzimit të brendshëm për zgjedhjet në parti dhe mënjanimit të deputetëve e anëtarëve të strukturave drejtuese si të deleguar të fushatës, të largojë të padëshiruarit dhe të afrojë mbështetësit e tij nuk po shkon si duhet duke sjellë rebelim në bazë, si në Shkodër, Korçë, Lushnje, Fier, së fundmi në Durrës por dhe nga figurat e kontribuesve në parti,të cilët nuk e kanë falur përjashtimin e demokratëve të viteve ’90 por dhe figurave dhe personaliteteve kontribuese ndër vite në këtë parti, që nuk do të jenë as në listat e anëtarësisë së PD-së, jo më të jenë në lista për të kandiduar në strukturat e forumet drejtuese të partisë.

Por gjendja akoma më e rëndë është në grupin parlamentar dhe në kryesinë dhe Këshillin Kombëtar të kësaj partie. Vonesat e Bashës në mbledhjet e grupit parlamentar deri në një orë, kanë sjellë dhe irritimin e deputetëve të PD-së dhe më shumë të aleatëve opozitarë, që në shenjë reagimi të fortë kanë dalë nga salla, duke mos preferuar më të jenë pjesë e mbledhjeve të deputetëve të opozitës. Madje deputetët reagojnë dhe ndaj mënyrës se si zhvillohen mbledhjet e grupit parlamentar, si bëhet drejtimi i tyre nga kreu i PD-së Lulzim Basha, skema e të bërit opozitë në Kuvend e në publik, dhe pesha që zënë udhëzimet e tij për të bërë opozitë.

Mësohet se në korridore deputetët e PD-së thonë se “Basha nuk duhet të kërcënojë më mazhorancën se do të bëjë këtë dhe atë, sikurse paralajmëron, pasi me 85 vota që ka e majta në Kuvend s’ka çfarë bën opozita. Për më tepër që kërcënimet e Bashës ndaj Ramës dhe qeverisjes së tij, janë si ato në emisionin humoristik Portokalli, që askënd nuk trembin”. Ndërkohë për Bashën terreni politik vijon të jetë i “rrëshkitshëm” pasi kundërshtitë nuk i vijnë vetëm nga lart por dhe nga baza e partisë, duke ia bërë shumë të vështirë drejtimin me gjithë mbështetjen e Berishës e besnikëve të tij. Aq më tepër që dhe të deleguarit në rrethe janë mjaft të kontestuar.
 
Reagimi
Kreu i PD-së Basha u shpreh para mediave se vendi ndodhet në emergjencë dhe për këtë është e nevojshme ngritja sa më shpejt e Komisionit Hetimor Parlamentar për trafikun e drogës. Kështu deklaroi ai në mbledhjen e grupit demokrat. Teksa tha se problemi më serioz është lidhja e politikës me trafikantët. Akuza të cilat i bëri publikisht, ndërsa brenda me deputetët diskutoi vetëm për seancën parlamentare të radhës dhe debatin për tatimet.

Shkrimi u publikua sot, 6 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)