-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot një delegacion deputetësh gjermanë, anëtarë të Komitetit të Çështjeve Europiane të Bundestag-ut-
TIRANË,11 Shkurt /ATSH- I. Vata/.- Kryetari i PD-së, Basha falenderoi sot nje grup deputetët gjermanë për mbështetjen e çmuar që Bundestagu dhe Gjermania i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian, në veçanti në marrjen e statusit të vendit kandidat.
Gjate nje takimi me një delegacion deputetësh Gjermanë, anëtarë të Komitetit të Çështjeve Europiane të Bundestag-ut-, Basha duke u ndalur ne zhvillimet në Shqipëri, shprehu shqetësimin e opozitës për terrenin që kanë fituar krimi i organizuar dhe trafikantët dhe depërtimin e krimit në nivele drejtuese të administratës dhe deri në Kuvendin e Shqipërisë.
Zbatimi i marrëveshjes së 24 dhjetorit për dekriminalizimin kërkon vullnet politik dhe vendosmëri theksoi Basha, duke vijuar të njohe deputetët gjermanë me shqetësimet për goditjen e shtetit ligjor dhe zhbërjen e standardeve në themelet e demokracisë, si të drejtat e njeriut, hapësirat kushtetuese të opozitës, kapja e institucioneve të pavarura, largimet masive të nëpunësve publikë dhe zëvendësimi i tyre me militantë.
Deputetët e Bundestagut shprehën vlerësimin për qëndrimin e Partisë Demokratike në mbështetje pa kushte të nismave që kanë të bëjnë me integrimin europian të vendit.
/f.n/










