Disa deputetë gjermanë të partisë së kancelares, Angela Merkel propozuan këtë javë që BE-ja ose NATO-ja t'i blejnë Francës dy anijet ushtarake të tipit "Mistral" që ishin porositur nga Rusia, duke rimarrë kështu një ide të hedhur nga amerikanët.

"Anijet 'Mistral' të mos i shiten Rusisë, të ndihmojmë Francën, të përforcojmë kapacitetet e BE-së dhe NATO-s, pra t'ia blejmë Francës", shkruan në llogarinë e tij "Twitter" deputeti i CDU-së, Roderich Kiesewetter, ekspert në politikat e jashtme në grupin parlamentar konservator.

Të martën një tjetër deputet i partisë së Merkelit, zëvendëspresidenti i komisionit të Mbrojtjes në Bundestag, dhoma e ulët e Parlamentit gjerman, Karl Lamers, kishtë bërë kërkesë nëpërmjet një komunikate "që të shqyrtohet se si mund të bëhet e mundur një blerje e anijeve 'Mistral' nga NATO-ja ose BE-ja. Për të mundësuar, nën kontekstin e një situate shumë të tendosur në Ukrainë që të hiqet krejtësisht dorë nga shitja e armëve ndaj Rusisë".

Vendet anëtare të BE-së ranë dakort këtë javë mbi mbajtjen e sanksioneve të reja ekonomike kundrejt Moskës, kryesisht në shitjen e materialeve ushtarake ndaj Rusisë.

Por në kundërshtim me pritshmëritë e Berlinit, këto sanksione nuk pengojnë kontratat e firmosura më parë dhe nuk e ndalojnë shitjen e dy anijeve helikoptermbajtëse të tipit "Mistral" drejt Rusisë nga kompania franceze DCNS./ATSH/