TIRANE - Deputetët socialistë të qarkut të Vlorës Valentina Leskaj, Fatmir Toçi, Eltar Deda, si dhe kryetar i PS-së të rrethit Vlorë Xhevahir Çeloaliaj i janë bashkuar thirrjes së kryetarit të Bashkisë së Vlorës Shëtim Gjika. Ata i kërkojnë kandidatit të pavarur për deputet, njëherësh ish-deputet i PS Arben Malaj që të tërhiqet nga kandidimi sepse po ndihmon Berishën.


VALENTINA LESKAJ

Kandidate për deputete në Vlorë: PS në zonën 63 ashtu si në të gjithë Vlorën është një dhe e pandarë dhe fare e qartë për çështjen e votës dhe angazhimi i strukturave është maksimal për fitoren e 23 qershorit. Më 24 qershor Vlora hap një faqe të re e cila i jep fund braktisjes totale që i ka bërë Sali Berisha. Pasi Vlora ka qënë e braktisura e madhe e pushtetit të Berishës. Pasuritë që ka Vlora me detyrin dhe të gjithë pasuritë e tjera janë pasuri që mund të përmisojnë cilësinë e jetës jo vetëm të vlonjatëve por ka një impakt në të gjithë ekonominë e vendit. Por kjo mundësi është privuar për 8 vite nga pushteti i Berishës.


FATMIR TOÇI

Deputet në qarkun Vlorë: "Mua nuk më duket se kemi këtu një çështje Malaj-Gjika, por një raport me pjesën që është angazhuar për të maksimalizuar votat e PS në zgjedhjet e 23 qershorit e pjesën tjetër, forca politike apo individë të veçantë që me veprimtarinë e tyre politike e dëmtojnë drejtëpërdrejtë apo indirekt PS duke çuar ujë në mullirin e prishur të Sali Berishës.

Këtë domethenie ka dhe deklarata në emër të përfaqësuesve të të zgjedhurve vendore socialiste të rrethit të Vlorës, të cilët po e vuajnë prej vitesh, praktikisht e shpirtërisht harresën e madhe që pushteti qëndror ka ndaj këtyre komuniteteve thjesht për shkaqe politike.

Për rastin Malaj s’kam asgjë për të shtuar, përveçse t’i bëj thirrje që të kthehet për të kontribuar në gjirin e familjes socialiste kur do jetë kurdoherë i mirëpritur deri me datën 22 qershor, duke ndjekur shembullin e shumë deputeteve të tjerë, si Et’hem Ruka, Eltar Deda, Skënder Hasa etj, që vërtetë s’do jenë nesër në Kuvendin e ri, por që PS e vendi ka hapësira e nevojë për kontributin e tyre në sektorë të tjerë po aq të rëndësishëm.

Vlonjatët, në qytet dhe në fshat, kudo që jetojnë e punojnë, janë aq të zgjuar sa ta kuptojnë se çdo votë që i hiqet koalicionit të majtë, për motive e interesa parimore apo personale, e dëmton ardhjen në pushtet të forcës sonë progresiste dhe e rrezikon mundësinë e vënies në jetë të programit tonë për Rilindjen e vendit, që do ndryshojë jetën e tyre e do ta përshpejtojë integrimin në familjen e madhe evropiane."

ELTAR DEDAJ

Deputet i qarkut Vlorë: "Kam qënë jam dhe do të ngelem anëtar i PS, jam pjesë e strukturave të PS respektoj vendimet e kryesisë së PS dhe do jem në krah të anëtarëve të PS."


XHEVAHIR ÇELOALIAJ
Kryetar i PS të rrethit Vlorë: Dalja e një figure përfaqësuese si Arben Malaj, them kështu për atë që ka përfaqësuar ndër vite në historikun e PS, nuk do të thotë se është pa kosto në PS. Por ajo është zgjedhja e tij personale. Normalisht të jesh përfaqësues i PS dhe i zgjedhur me votat e kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë është një nder që të bëhet. Por unë mendoj që ti shërbesh PS nuk është kusht që të jesh vetëm deputet. Të shërbesh PS do të thotë të japësh maksimumin në çfarëdo pozicioni që të jesh në parti.

Natyrshëm që ftesa që i bën Shpëtim Gjika është logjike, është kërkesë që ia bëjnë të gjithë socialistët e Vlorës, Arben Malajt, në mënyrë që të maksimalizohet vota e socialistëve, me qëllim që të largohet Sali Berisha dhe qeveria e tij e korruptuar me 23 qershor. Eshtë një lloj kthimi i restos që i bëhet të majtëve të Vlorës duke i bashkuar votat në këtë mision historik që është përzënia e Sali Berishës më 23 qershor.


KRERËT VENDORË QË BËNË THIRRJEN DREJTUAR MALAJT DHE LEXUAR DJE NGA SHPËTIM GJIKA


Kanan Shakaj - Kryetar i Komunës Novoselë
Gezim Hoxhaj - Kryetar i Komunës Vllahinë
Meno Besimi - Kryetar i Komunës Kote
Edmond Leka - Kryetar PS Bashkia Vlorë, kandidat për Deputet
Arben Avduli - Kryetar PS Komuna Qendër
Ridvan Muraj - Kryetar PS Komuna Shushicë
Mujo Shakaj - Kryetar PS Komuna Novoselë
Klement Vito - Kryetar PS fshati Nartë
Mira Shehu - Kandidat për Deputet PS Qarku Vlorë
Neime Gjika - Kandidat për Deputet PS Qarku Vlorë

Redaksi Online
(b.m/sg/shqiptarja.com)