Deputeti Damian Gjiknuri ka reaguar ndaj pretendimeve të bëra publikisht nga avokati Arben Llangozi, duke i cilësuar ato shpifje dhe duke deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë në Aruba dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me personat e përmendur prej tij.
Në një reagim publik, Gjiknuri thekson se, për shkak të funksioneve që ka ushtruar, figura e tij është verifikuar në mënyrë të imtësishme edhe nga organet e posaçme të drejtësisë, duke shtuar se asnjë proces nuk ka gjetur shkelje ndaj tij.
Në deklaratë, ai sfidon Arben Llangozin të publikojë prova që mbështesin pretendimet e tij, ose të tërhiqet publikisht dhe të dorëzojë licencën e avokatit. Gjiknuri bën me dije gjithashtu se ka autorizuar avokatin e tij të përgatisë padinë për shpifje ndaj Llangozit.
Reagimi i Damian Gjiknurit
Kam qenë gjithmonë i bindur se nuk ia vlen të humbet kohë duke iu përgjigjur çdo shpifësi ordiner që hedh baltë mbi emrin tim. Edhe ndaj deklaratave publike të shtetasit Arben Llangozi, i cili prezantohet si avokat, zgjodha të mos reagoj disa ditë më parë, duke besuar se ai do ta kuptonte shumë shpejt se kishte ngatërruar shënjestrën.
Pa e fshehur ama habinë time se si mediat riprodhojnë deklarata pa asnjë fakt nga një person i njohur publikisht dhe dënuar me vendim gjykate si mashtrues profesionist. Mashtrues që ka tërhequr dhe rekursin e tij në gjykatë duke pranuar dënimin.
Megjithatë, në rolin e një shpifësi ordiner me pagesë, ky person vazhdon edhe sot të përsërisë publikisht të njëjtat pretendime. Gjatë gjithë karrierës sime, si në sektorin privat ashtu edhe në jetën publike, kam refuzuar kategorikisht t'u nënshtrohem këtij lloji gjobëvënësish publikë, që paguhen për të sharë dhe shajnë për t'u paguar.
Në respekt ndaj opinionit publik, i cili helmohet nga deklarata të tilla shpifëse, deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk kam qenë asnjëherë në Aruba, nuk kam takuar asnjëherë e askund dhe nuk kam pasur asnjë lidhje me personat për të cilët aludon ky shpifës.
Për shkak të funksioneve që kam ushtruar në jetën publike dhe akuzave të vazhdueshme të ngritura ndaj meje, emri im i është nënshtruar verifikimeve më të imtësishme nga organet e posaçme të drejtësisë. Të gjitha këto procese kanë konfirmuar pastërtinë e figurës sime, ndërsa shpifësit janë detyruar të gëlltisin mbrapsht të pavërtetat e tyre.
E sfidoj publikisht Arben Llangozin të publikojë provat që mbështesin pretendimet e tij. Në të kundërt, ai duhet të tërhiqet publikisht nga këto deklarata dhe të dorëzojë licencën e avokatit.
Ndërkohë, kam autorizuar avokatin tim të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për ngritjen e padisë për shpifje ndaj Arben Llangozit.
Komente










