Seanca dëgjimore e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore me Policinë e Shtetit u shty pas debateve mes opozitës dhe mazhorancës për mungesën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hita. Në vend të tij, për raportim ishte deleguar zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga, një vendim që u kundërshtua nga deputetët e opozitës.

Oerd Bylykbashi: Sot këtu duhej të ishte drejtori i Përgjithshëm. Këtu duhej të ishte drejtori i Përgjithshëm, nuk ka asgjë më të rëndësishme se Kuvendi. Nuk është e pranueshme të mos vijë në një seancë dëgjimore me komisionin e Reformës Zgjedhore. Nuk është seancë dëgjimore e zakonshme, përveçse do nënvizojmë problemet, duhet të kuptojmë se ku duhet të ndërhyjmë për të krijuar një kornizë ligjore që policia edhe të jetë e mbrojtur nga abuzimi, por edhe të bëjë detyrën për të mbrojtur zgjedhësit nga abuzimi.

Gent Strazimiri: Nuk më duket nga ato raste ku drejtori i policisë mund ta delegojë prezencën e tij, ne kemi thirrur institucionin, nuk besoj se zv.drejtori është personi i duhur për t’iu përgjigjur interesit të komisionit. Nuk është seminar, kemi për të diskutuar gjëra shumë më thelbësore. Ta quajmë seminar rolin e Policisë në zgjedhje. Drejtori i Përgjithshëm i policisë së bashku me stafin duhej të ishte këtu prezent.

Demokratët argumentuan se në seancat e mëparshme dëgjimore në komision kanë raportuar vetë Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe kreu i SPAK-ut, Klodian Braho. Ndaj kërkuan që i njëjti standard të zbatohej edhe për Policinë e Shtetit. Sipas tyre, mungesa e kreut të policisë përbën mungesë respekti ndaj Kuvendit dhe zhvlerëson punën e komisionit.

Bylykbashi: Kemi patur dy seanca të tjera, një me Prokurorinë e Përgjithshme dhe me SPAK dhe kemi pasur nivelin më të lartë të përfaqësimit, qoftë prokurorin e Përgjithshëm, qoftë kreun e SPAK.

Vokshi: Ka ardhur prokurori i përgjithshëm me të gjithë prokurorët e tjerë. Nëse juve keni eksperiencën, nuk e vënë në dyshim, të kishte ardhur drejtori i përgjithshëm i policisë dhe ju të ishit aty në krah. Duhet të vijnë krerët. Nëse ai është i pa i pazoti që të përballet në një komision parlamentar, atëherë ta heqin atë, t’iu vënë juve dhe hajdeni juve në emër të Policisë së Shtetit, sepse ne kemi kërkuar krerët.

Vetë Bizhga u shpreh se është ai personi që ka drejtuar punën e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor të vitit 2025.

Bizhga: Zv.drejtori i përgjithshëm për çdo rast ka ndjekur gjithmonë aktivitetet zgjedhore dhe në rastin në fjalë drejtori i përgjithshëm ishte drejtor në një qark, në një provincë, kurse unë kam qenë përgjegjësi për procesin zgjedhor të vitit 2025. Unë kam dalë oficer në vitin ‘90, në një korrik të vitin ‘90 dhe gjatë gjithë kësaj periudhe nuk kam qenë ndonjëherë i shkëputur dhe kam qenë pjesë e ndryshimeve të mëdha që ka bërë policia, shoqëria në tërësi dhe Policia e Shtetit lidhur me proceset zgjedhore.

Bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri pranoi se do të ishte më mirë që në seancë të ishte i pranishëm drejtori i Policisë, por theksoi se qëllimi i komisionit nuk është hetimi i rasteve konkrete, referuar denincimeve të Vokshit për bandat në zgjedhje.

“Këtu kanë ardhur drejtuesit e institucioneve sa herë i kemi thirrur. Zv.drejtori është një drejtues që ka kohë në atë institucion dhe nuk besoj se nuk ka njohuri. Ai s’ka detyrim për të raportuar këtu. Këtu nuk është seminar, por ne jemi të marrim e mendime. Si të jetë drejtori si të mos jetë, për mua s’ka rëndësi. Patjetër për rolin e kuvendit mirë do ishte drejtori i përgjithshëm. Për qëllimin që ka kjo tryezë edhe prania e një njeriu që është marrë direkt me zgjedhje se sa një drejtor që ka 3 muaj që është vënë dhe në hierarkinë e vendimmarrjes ka qenë poshtë Bizhgës, mendoj se është e pranueshme.

Nuk kemi rol këtu të bëjnë komision hetimor. Nuk po verifikoj ngjarje unë këtu. Në qoftë se ka çështje personale probleme në fushatë, ato o do të drejtohen në rrugë penale ose po të ishte një komision hetimor. Patjetër që për gjithë eksperiencat tuaja negative zgjedhore ne do flasim këtu përsa i përket detyrës së policisë së shtetit, por këtu ne jemi që të marrim një mendim për gjërat, si funksionon, çfarë nuk ka shkuar mirë. Këtë gjë mund ta bëj dhe në drejtori. Jam dakord me ty që e mira të ishe drejtor i përgjithshëm”, tha Gjiknuri.

Në fund, opozita dhe mazhoranca ranë dakord që të shtyjnë mbledhjen me qëllim që në senacën dëgjimore të ardhshme të jetë vetë Hita, si edhe për faktin se mungonte edhe drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare.

Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore ka afat funksionimi deri në nëntor për të dalë me një produkt për ndryshimet në Kodin Zgjedhor apo edhe ligjin për financimin e partive politike.