Prej afro tri muajsh pas arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur, Fredi Beleri pala greke ende vijon të jetë e angazhuar për betimin e tij në Bashkinë e Himarës. Deputeti grek Angelos Syrigos ka ardhur sot në Tiranë dhe u takua në ambientet e paraburgimit në Qendrën Spitalore e Burgjeve Tiranë (Nënë Tereza).

Ai dha dhe një prononcim për media ku shprehu qëndrimin e palëkundur të palës greke, për betimin e Fredi Belerit. Ai madje e sheh si artificë gjykimin e tij, pasi sipas tij rasti i Fredi Belerit është i vetmi në Shqipëri nga 31 të akuzuar që është mbrapa hekurave. Ndër të tjera ai ripërsëriti se ky qëndrim i drejtësisë shqiptare, do të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe por edhe në integrimin e Shqipërisë në BE.

“Për më shumë se tre muaj kryetari i Bashkisë së Himarës është në burg. Kjo gjë ndikon në marrëdhëniet mes dy vende. E para është shteti i së drejtës, e dyta prezumimi i pavarësisë për një person i cili është i zgjedhur si kryetar bashkie. Dhe respektimi i të drejtave civile. S’është e kuptueshme për ne e BE-ne se pse një person që është zgjedhur dhe nuk ka rekorde të kaluara nuk duhet të shkojë në zyrën e bashkisë dhe të bëjë betimin. Kjo është shumë serioze për ne dhe nuk ka të bëjë thjesht me burgosjen. Këto do të ndikojnë edhe në negociata e Shqipërisë në BE. Janë disa pika që Shqipëria i di.

I di akuzat, ka akuza për korrupsion zgjedhje lokale. Por ky rast është i vetmi nga të tjerat. Ai ka qenë i burgosur, por qeveria shqiptare nuk e ka lejuar të betohet si kryetar bashkie. Kjo është shkelje e të drejtave civile.

Nga 31 raste të dyshuara për korrupsion zgjedhor vetëm Beleri mbahet në burgim. Ligji thotë se ai duhet të shkojë të betohet dhe është një dhunim i të drejtave të tij civile. Nuk dua të jap detaje për takimin e sotëm.”- thotë ai.

Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit të cilat edhe pse i arrestuar mundi t'i fitojë kundër kandidatit tjetër të së majtës, Jorgo Goro. Por, Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet nuk i dhanë leje për të kryer betimin.  Arrestimi i tij ka tensionuar jo pak retorikën e fqinjëve grek, të cilët kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm, madje çështjen e kanë ngritur si problematike deri në Bruksel. Nëse shpallet fajtor Fredi Beleri rrezikon të dënohet nga 1 deri në 5 vite burg.