Aq shumë është “dashnor” i dhunës Sula se s’ka lënë gjë pa përdorur kundër gjyqtarëve, tranjerëve e lojtarëve kundërshtarë, që nga fyerjet, goditjen me gurë e deri tek pritat dhe goditjet me pistoletë që me vendim gjykate e kthyen në lodër, me të cilën kalonte kohën deputeti demokrat me fëmijë të rritur në stadiumin e Peqinit.
Fillesat “ultrasit” peqinas me imunitet deputeti janë në fillim të vitit 2008, teksa ka përcjellë sherrin e plasur në fund të takimit Elbasani-Shkumbini. Futbollisti Skerdi Bejzade pasi është larguar nga Elbasani për në Tiranë me makinën BMË X5, është ndjekur nga prapa nga dy makina që kanë tentuar, sipas asaj që ka thënë Bejzade ta hedhin në greminë.
Ai mundi të shpëtojë falë makinës së shpejtë e fshehjes në një nga shtëpitë e banorëve në Qafë Kërrabë deri në momentin e ardhjes së forcave të policisë nga Elbasani. “Për fatin e tij të mirë nuk e zura”, ka thënë i Sula në federatë. “Kur të vini në Peqin do ta shihni, po nuk ju vrava në mes të qytetit”, u ka thënë tifozëve elbasanas.
PLUMBA NË STADIUM
Deputeti i PD Dashnor Sula, një nga donatorët e klubit të futbollit Shkumbini, nuk është mjaftuar me dhunën e ushtruar dhe kërcënimin me jetë ndaj lojtarëve kundërshtarë, tashmë të kthyer në rutinë, por ai ka dhunuar gjyqtarin Albano Janku, që u mor në mbrojtje nga policët në ndeshjen Shkumbini-Laçi, duke u dënuar zyrtarisht nga komisioni i disiplinës në FSHF.
Pamjet filmike të dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit Albano Jankut pas ndeshjes Shkumbini–Laçi kanë detyruar anëtarët e disiplinës në FSHF të përjashtojnë për 8 javë deputetin Sula nga aktivitetet sportive.
Ndërkohë që në maj të vitit 2012, deputeti demokrat, Dash Sula, i njohur si një prej personazheve me problematikë në stadiumet shqiptare, këtë radhë ka shkuar drejt një veprimi ekstrem kur ka qëlluar me pistoletë në stadium në ndeshjen Shkumbini-Flamurtari, që u zhvillua në Peqin.
Ngjarja ka ndodhur në fund të pjesës së parë, kur pas disa debateve, Dash Sula ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar, por për fat të mirë plumbi s’ka zënë askënd. Policia dhe ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, që ndodhej në stadium, kanë thënë se pistoleta ka qenë me fishekë manovër.
Për këtë arsye, policia nuk ka marrë asnjë masë ndaj Sulës, duke mos e arrestuar. Ndërsa më pas prokuroria dhe gjykata e kanë nxjerrë pistoletë lodër. Gjyqtari i ndeshjes ka “reflektuar” e me të filluar pjesa e dytë e ndeshjes ka dhënë penallti për Peqinin, që është shndërruar në gol.
Sula as që është thirrur nga ana e policisë, jo më t’i vihen prangat pavarësisht se ka qenë gjithnjë në kushtet e flagrancës. Ngjarja e Peqinit ku deputeti demokrat ka kërcënuar me armë arbitrat e ndeshjes Shkumbini-Flamurtari është komentuar dhe në mediat e huaja si një rast ia pakonceptueshëm për ato vende ku futbolli luhet dhe ashpër.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.02.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)