Deputeti i PD në Dibër, Xhemal Gjunkshi mbështeti protestën e shoferëve të furgonëve në Peshkopi, të cilët kërkojnë dhënien fund të monopolit të transportit të udhëtarëve. Sipas tyre, monopoli është vendosur nga Bashkia e Dibrës, e cila i ka dhënë firmës së ish-nënkryetarit të Bashkisë të drejtën ekskluzive për të transportuar udhëtarë nga Peshkopia drejt Tiranës dhe Durrësit, duke lënë kështu pa punë pjesën tjetër të personave privatë që siguronin jetesën me transportin e udhëtarëve përmes furgonëve.

Shoferët i treguan deputeti Gjunkshi se ata nuk lejohen ta bëjnë më këtë gjë dhe në terminalin e qytetit lejohet qëndrimi vetëm i atyre furgonëve që kanë bërë marrëveshje me firmën e ish-nënkryetarit të Bashkisë së Peshkopisë. Deputeti Gjunkshi tha marrëveshja e bërë në kushtet e frikës dhe presionit është skllavëruese për shoferët që e kanë pranuar, duke shtuar se ata përdorin furgonët e tyre për llogari të firmës që ka monopolin, e cila fiton prej secilit 700 mijë lekë në muaj, por i paguan ata vetëm me 200 mijë lekë të vjetra.

Sipas deputetit demokrat, në total nga kjo aferë korruptive, kompania private fiton rreth 20 milionë lekë të vjetra në muaj dhe nuk paguan asnjë detyrim për shoferët apo taksa për bashkinë. Deputeti Gjunkshi tha se kësaj firme Bashkia e Dibrës i ka dhënë edhe tenderin e transportit të arsimtarëve dhe nxënësve. Kompania e ka marrë tenderin, edhe pse oferta e saj ka qene gati trefish më e lartë se kostoja e kompanive paraardhëse. 22 Kryefamiljarët e hedhur në rrugë nga bashkia e Dibrës thanë se, nëse bahskia do të vazhdojë të heshtë, ata do të bllokojnë rrugën kombëtare.​

d.c./shqiptarja.com