Është shtyrë në GJKKO seanca gjyqësore ndaj deputetit demokrat Bardh Spahia. Shkak u bë mungesa e mbrojtësit ligjor të Spahisë, për arsye shëndetësore.

Spahia shprehu pëlqimin përpara gjykatës për t'u pyetur nga prokurorja Dorina Bejko, me prezencën e avokatit të tij. Seanca e radhës do të mbahet më 12 nëntor ora 09:30.

Ish-kryebashkiaku i Shkodrës është marrë i pandehur për pengim të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, pas kallëzimit të ish-drejtorit të Ujësjellësit të Shkodrës, Mark Molla.

SPAK e çoi për gjykim ish kryebashkiakun e Shkodrës më 26 shkurt. Sipas SPAK, Spahia ka vepruar në shkelje të ligjit duke shkarkuar drejtorin e Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër, pavarësisht se kishte një vendim gjyqësor për pezullimin e këtij akti.

SPAK thotë gjithshtu se Spahia, në cilësinë e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër dhe njëkohësisht si Kryetar i Bashkisë Shkodër, më 18 korrik 2022 ka marrë vendimin për shkarkimin nga detyra të administratorit Mark Molla dhe emëroi një anëtar të FRPD-së.