TIRANE - Deputeti socialist Erjon Braçe kërkoi sot nga prokuroria që të nisë hetimet ndaj ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, i cili siç rezultoi nga tre dokumente të paraqitura nga numri dy i grupit parlamentar të PS-së, përmes dy vendimeve dhe një autorizimi ka urdhëruar armatosjen e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, në kundërshtim me ligjin shqiptar. Sipas Braçes, veprimtaria antikushtetuese e SHIU-t fshihet brenda bunkerit të ministrit Imami.

“Urdhrat, paratë, shërbimi përfitues dhe i përfshirë në veprimtari antikushtetuese janë në ministrinë e Mbrojtjes, drejtpërdrejtë nga ministri Imami.” - deklaroi Braçe.

Në dokumentin e parë të paraqitur nga Braçe, i datës 1 shtator 2009, i kërkohet kompanisë MEICO që të prokurojë armatim për Shërbimin Informativ të Ushtrisë. Po me firmën e ministrit Imami ky vendim është modifikuar më 19 janar 2011, dy ditë para 21 janarit, ku MEICO-s ruan të drejtën për prokurim të armëve ndërsa SHIU-t i njihet e drejta që të prokurojë aparatura të tjera përgjuese. Në të njëjtën datë, gjithnjë dy ditë para 21 janarit, ministri Imami ka autorizuar të blejë me çmim të fiksuar prej tij një sërë pajisjesh.

“Dokumenti tre është ky autorizim. Në numër 503 datë 19 janar 2011 për realizimin e procedurës së blerjes së armatimit nga ndërmarrja MEIKO dhe materialeve xheniere dhe pajisjeve speciale nga Shish përmes të cilit ministri Imami dora vetë ka hedhur sërish firmën e tij, autorizon MEIKON të kryejë prokurim të drejtpërdrejtë për armatim duke përcaktuar në atutorizim kompaninë, vlerën, çmimin. Autorizon SHIUN të kryejë prokurim të drejtpërdrejtë për pajisje xheniere dhe speciale duke përcaktuar po prapë ky ministër edhe kompaninë edhe vlerën edhe çmimin.”, vijoi Braçe.

Pajisjet në fjalë përfshijnë mbi 39 mijë euro pistoleta, 4 mijë euro snajper, 51 mijë euro pasqyra për të kontrolluar nga poshtë makinat ku vetëm një pasqyrë kushton 350 euro, si dhe mbi 87 mijë euro për nano kamera, çakmak përgjues e çimka të tjera. Për armatosjen e paligjshme të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, të cilit ligji shqiptar i njeh vetëm të drejtën e grumbullimit dhe analizimit të informacionit por jo pjesëmarrjen në operacione luftarake, Braçe kërkoi edhe nisjen e hetimit ndaj ministrit Imami.

“Prokuroria e Përgjithshme nën juridiksionin e të cilit është ministri Imami filloi çështje kryesisht lidhur me antikushtetueshmërinë në veprimtarinë e SHIU-t”, përfundoi deputeti socialist, Erjon Braçe.

IMAMI: PUBLIKIMI I DOKUMENTEVE, CENIM I SIGURISE KOMBETARE


Ministri i Mbrojtjes,  Arben Imami dha sot një konferencë për shtyp, ku ka dhënë sqarime rreth akuzave që janë bërë nga Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit Erjon Braçe, lidhur me blerjen e armëve dhe pajisjeve për llogari të Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Sipas tij, akti i publikimit të dokumenteve në gazeta përbën cënim të sigurisë kombëtare.

“Ministri i Mbrojtjes, po mbi bazën e ligjit, nuk ka të drejtë të pohojë ose të mohojë, pra të informojë publikun mbi kapacitetet e SHIU. Dokumentet që PS i ka botuar në gazetat e saj dhe që sot i ka bërë sërish publike deputeti Braçe, kanë siglën sekret. Vetëm ky akt përbën në thelb një cënim të sigurisë kombëtare, pa folur që mundësitë dhe mjetet ligjore për t’u informuar Partia Socialiste nuk i ka shteruar në këto muaj të një sulmi të paprinciptë personal mbi Ministrin e Mbrojtjes.”, u shpreh ministri Imami.

Lidhur me blerjen e armëve dhe pajisjeve ministri Imami sqaroi se "fusha e veprimtarisë operacionale të SHIU-t, si një agjenci e inteligjencës ushtarake të NATO-s, shtrihet në teatrin e operacioneve të aleancës. SHIU duke qenë një agjenci e inteligjencës ushtarake nuk mund të prokurojë gjë tjetër përveçse pajisjeve, sistemeve dhe armatimit që janë në mbështetje të misionit të tij”. Ministri Imami u shpreh se “blerja e pajisjeve në fjalë është bërë mbi bazën e legjislacionit për blerjen e mallrave ushtarake. Lidhur me datën e kësaj blerje, Ministri i Mbrojtjes e ka firmosur procedurën e nisjes së blerjes më 19 janar mbas kërkesave operacionale të SHIU-t që datojnë shumë më herët, ndërsa blerja e tyre është bërë më vonë”.

BRACE IMAMIT: RREZIK PER SIGURINE KOMBETARE JE TI, TE TJERAT NESER BALLE PER BALLE

Deputeti socialist, Erjon Braçe ka reagur në lidhje me fjalën e Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami ku thotë se me dokumentat që ka publikuar Braçe cënon sigurinë kombëtare. Erjon Braçe shkruan në Facebook:
"Ministër Arben Imami po të përgjigjem shkurt: Korrupsioni po kërcënon Sigurinë Kombëtare!! Dorëzimi i Ministrisë së Mbrojtjes në tregti me Llumin e Llumit të Ballkanit, posaçërisht Serbisë, po cënon Sigurinë Kombëtare!! Rreziku më i madh për Sigurinë Kombëtare je ti, në krye të një elite politike e ushtarake të korruptuar, të gjithë bashkë 10 vetë bëheni!! Ju po dhunoni, vidhni e turpëroni ushtrinë shqiptare!! Të tjerat nesër! Ballë për Ballë! Kështu quhej edhe ai filmi, apo jo?"

(Gre.M/sg/Shqiptarja.com)