Deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste, Erion Malaj, i dalë fitues nga zgjedhjet e 11 majit, tha se do të jetë aktiv, por nuk do të bëjë zhurmuesin në Kuvend. Sipas tij, politika ka nevojë për debat konstruktiv.
‘Mendoj se ajo që duhet parë është në aspektin e parlamentit se si do të duhet që të funksionojë, unë do doja që politika të kishte debat konstruktiv. Unë do jem aktiv por jo për të bërë zhurmuesin për çështje pa rëndësi’, tha ai.
Ai ka komentuar edhe pretendimet e opozitës për manipulim të zgjedhjeve të 11 majit. Malaj tha se retorika e PD edhe në këto zgjedhje ishte e njëjtë si në ato të kaluara, ku fillimisht shpallin fitoren dhe më pas thonë u vodhën.
‘Të nesërmen më 12 maj PD shpalli fitoren dhe të pasnesërmen tha u vodhën. Po hidhet poshtë procesi, kur nuk është për tu hedhur, ata që kanë kritika të ndjekin rrugën ligjore. Rama tha ne do të jemi krah SPAK edhe s’kemi për qëllim që të dobësojmë një institucion që është erdhi si nismë e PS’, tha ai.
Një koment e pati edhe për urimin e Ambasadës së SHBA për zgjedhjet e 11 majit.
‘Urohet populli i Shqipërisë dhe u tha se do të vazhdojë partneriteti me qeverinë që e përfaqëson PS. Nëse duan që ti bëjmë interpretime atëherë është tjetër gjë’, tha ai.
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet/ Petro Koçi në ‘Repolitix’: SHBA i njohu, Berisha humbi thellë! Çollaku: PS përsëriti 28 majin ‘96! Sako: Në fushatë pati probleme, SPAK nuk ndërhyri

