TIRANE - Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, mësohet se është sëmurë dhe ka nevojë për kurim të shtrenjtë. Lajmi mësohet pas mbledhjes më të fundit të Qeverisë, e cila ka akorduar një shumë prej 11 milionësh të vjetra ose 1 100 000 (një milion e njëqind mijë) lekësh.

Ja vendimi sot i Qeverisë:

“VENDIM PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2013, MIRATUAR PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË, PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË KURIMIT TË ZNJ. MESILA DODA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
1. Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2013, zëri “Mallra dhe shërbime”, t’i shtohet fondi prej 1 100 000 (një milion e njëqind mijë) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve të kurimit të znj. Mesila Doda.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
3. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave origjinale të institucionit të kurimit.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYEMINISTRI
SALI BERISHA”

Redaksia Online
(Gre.M/SHqiptarja.com)