Tirane- Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka Ferhati në një deklaratë për mediat ka akuzuar familjarët e kryedemokratit Lulzim Basha, veçanërisht kunatin e tij, Erjon Isufi se zotëron 6 kompani që xhirojnë shuma kolosale parash, por nuk i deklarojnë të ardhurat. Bushka iu referua deklaratës së djeshme në një emision televiziv të Lulzim Bashës, i cili  deklaroi se, “asnjë familjar i tij nuk zotëron ndonjë firmë konsulence, aq më pak të lidhura këto me shtetin apo me ata që ai i konsideron si oligarkë”.

“Kunati i tij, Erion Isufi zotëron jo një, por plot gjashtë kompani reklame dhe konsulence: “Landmark Communicatins”, “Landmark Technologies”, “Landmark Premium Print”, “HR Solutions”, “Albania Internet” dhe “Blacksheep”. “A e dini se vetëm “Landmark Communications” dhe “Premium Print”, që prej themelimit kanë gjeneruar mbi 11 miliardë lekë. Vetëm vitin e kaluar, xhiro e deklaruar e këtyre kompanive arriti në 2,2 miliardë lekë, nga të cilat fitimi i deklaruar vetëm 40 milionë lekë të vjetra”

Deputetja e PS, Klotilda Ferhati Bushka

Sipas deputetes socialiste, perandoria e kompanive në emër të kunatit të Bashës ka punuar me disa biznese të mëdha, por çuditërisht Basha disa prej këtyre bizneseve që punojnë me kunatin e tij, i ka futur në litën e zezë të bizneseve.

“Të gjitha këto para që siguron kjo ‘perandori’ konsulence janë siguruar direkt, duke punuar eksluzivisht me bizneset më të mëdha në vend, të cilat sot, në një tentativë të qartë gjobëvënie ndaj biznesit janë vendosur në ‘listën e zezë’ të Lulit”

Deputetja e PS, Klotilda Ferhati Bushka

Deputetja thotë se Basha flet për këtë listë të zezë biznesesh me qëllim që t'ju vërë gjoba.

“Si ka mundësi që ndërsa Luli përbetohet se do të pastrojë vendin nga “oligarkët”, kunati, gruaja dhe e gjithë familja e tij pasurohen përditë e më shumë duke punuar me të njëjtët persona? Shumë nga biznesmenët, të cilët Luli i ka grupuar bashkë në listën e tij të zezë, prej vitesh derdhin para direkt në xhepat e familjes së tij, përmes kontratave që kanë me kompanitë e kunatit. Po përse pra këto dy standarte? Përse Luli nga njëra anë mbush xhepat dhe nga ana tjetër del me shpatë në dorë kundër biznesit”

Deputetja e PS, Klotilda Ferhati Bushka

Duke shtruar disa çështje për përgjigje, Bushka ngre pikëpyetje nëse fushata e nisur nga kryetari i opozitës, ndaj të njëjtëve persona që e kanë ndihmuar të pasurohet, është një fushatë gjobvënie, përmes të cilës Basha pretendon të blejë heshtjen e bizneseve.

“A mos vallë Lulzim Basha po bën pikërisht atë për të cilën akuzohet brenda PD-së: Sulme nominale mbi biznesin për të vjelur taksën e heshtjes së tyre! A mos vallë ky persekutim, stil sipas vitit 46, kundër kulakeve te anatemuar sot si oligarkë, është një sulm me maska politike i opozitës së bashkuar për të detyruar bizneset të paguajnë? Apo mos vallë kunati i Lulzim Bashës kërkon më shumë prej tyre, nga sa merr rregullisht, dhe për këtë përdor altoparlantin e Partisë Demokratike”

Deputetja e PS, Klotilda Ferhati Bushka