Disa ditë pasi Delvina u përfshi nga zjarre masive, Partia Demokratike i kërkon autoriteteve të mos vonojnë dëshmpërblimin e banorëve. Deputetja Ina Zhupa i kërkon autoritetve të ngrenë sa më parë grupet e punës me përfaqësues të pushtetit lokal dhe qendror, dhe të trokitet në çdo derë për evidentimin e dëmeve.

Zhupa tha se flakët kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në pasuritë e banorëve, duke shkatërruar agrume, ullinj dhe blegtori. Sipas saj, situata është katastrofale dhe banorët ndihen pa shpresë për të ardhmen.

“Ne jemi këtu jo vetëm për t’u dhënë mbështetje banorëve, por edhe për të bërë thirrje për ngritjen e menjëhershme të një grupi të përbashkët pune, me përfaqësues të pushtetit lokal dhe atij qendror, për evidentimin shtëpi më shtëpi të të gjitha dëmeve,” – deklaroi Zhupa.

Deputetja kërkoi gjithashtu që dëmshpërblimi monetar për banorët të bëhet në mënyrë të plotë, të shpejtë dhe efektive, për t’u dhënë atyre mundësinë të rikuperojnë dhe të vazhdojnë jetesën në zonë.

Ajo kritikoi menaxhimin e situatës dhe paralajmëroi se nuk duhet të përsëriten problemet e mëparshme me trajtimin e pasojave të zjarreve.

“Duhet t’u qëndrojmë banorëve në krah, në mënyrë që ata të kenë shpresë dhe të zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri,” – përfundoi Zhupa.