Derbi i 139 Tirana-Partizani pa tifozë
ndeshja pa grindë dhe emocione 0-0

Derbi i 139 Tirana-Partizani pa tifozë<br />ndeshja pa grindë dhe emocione 0-0
Nuk ka fitues në derbin e 139 të kryeqytetit. Tirana dhe Partizani nuk arritën që të shënonin në 90’ e sfidës duke ndarë nga një pikë. Derbi i parë i edicionit është për t’u harruar sa më shpejt, pasi u zhvillua pa tifozët duke krijuar idenë e një seance stërvitore.

Sfidës së shumë pritur i mungoi katalizatori duke sjellë mungesën e grindës dhe emocioneve, pasi shkallët e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” ishin bosh. Sfida u zhvillua pa tifozë, pasi Tirana u dënua me 15 ndeshje nga Disiplina për incidentet në Shkodër, ndërsa FSHF nuk mori në konsideratë lejimin e fëmijëve dhe femrave në stadium duke u bërë më e ‘shenjtë se Papa’ për rregulloren.

Pjesa e parë e derbit mes Tiranës dhe Partizanit ka përfunduar me rrjeta të paprekura. 45’ kanë folur më shumë për ekipin bardheblu që ishte më i qetë në menaxhimin e lojës në krahasim me të kuqtë që u shfaqën pa ide dhe nuk arritën që ta godisnin asnjëherë portën kundërshtare duke e mos e shqetësuar aspak Frashërin.

Partizani kishte shumë vështirësi për të dalë në gjysmëfushën e Tiranës, ndërsa 24 herë kampionët e vendit me Ndikumanë, Bakajn dhe Morinën në repartin e avancuar dhe Bulkun në mesfushë krijuan disa raste për shënim, teksa më i pastri ishte në mesin e pjesës së parë me Karabecin që tentoi me një goditje të lirë duke vendosur në provë ‘gardianin’ Hoxha që arriti që priste në dy kohë. Emiliano Vila, nga i cili pritej më shumë se kushdo tjetër zhgënjeu shumë duke mos i justifikuar pritshmëritë, ndërsa të vetmit që spikatën për ekipin e Duros ishin Nexhipi dhe Batha.

Në pjesën e dytë Partizani zgjohet nga gjumi duke marrë nën kontroll frenat e lojës për disa minuta dhe krijuar disa raste të mirë me Mazrekajn, Vilën dhe Fazliun, por qartësia në finalizim i mohoi golin e avantazhit. Magani tentoi që të ndryshoj dicka duke futur në fushë Olakin, Malajn dhe Kagaren, por deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar.

Tifozët
Lojtari i 12-të ishte një nga shkaqet kryesorë që ndeshjes i mungoi grinda dhe ritmi. Tifozët e dy ekipeve ishin vendosur në pjesë të ndryshe të kryeqytetit për të  ndjekur derbin, bardheblutë zgjodhën stadiumin ‘Selman Stërmasi’ duke përjetur sfidën përmes një monitori gjigand, ndërsa ‘demat e kuq’ në fushën e Laprakës. Atmosfera ishte mjaft e ndezuar në të dy zonat.



Prag derbi
Të premten në orën 20:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” do të zhvillohet derbi i 139 i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit. Sfida vjen në një moment shumë të mirë për të dy ekipet që janë forcuar ndjeshëm nga edicioni i kaluar dhe synojnë titullin kampion. Momenti favorizon Partizanin që vjen pas fitoreve radhazi, ndërsa Tirana pas humbjes në Laç. Megjithatë në një ndeshje derbi statistikat nuk kanë shumë vlerë dhe këtë e ka treguar më së miri historia.

Mëkati i vetëm i derbit të 139 është fakti që do të zhvillohet pa praninë e tifozëve për shkak se Tirana është dënuar me 15 ndeshje pa spektatorë për shkak të incidenteve në Shkodër që u kthye në përleshjen më të madhe të ndodhur vitet e fundit. Megjithatë, lojtari më i mirë i Partizanit për momentin, Astrit Fazlliu shprehet optimist për fitoren në derbin e parë. “Ndeshja do të ketë një rëndësi të veçantë për ne.

Një 90 minutësh ku padyshim të dyja ekipet kërkojnë të marrin maksimumin. Është një sfidë e cila i njeh të tre rezultatet ndaj mendoj se në një ndeshje derbi nuk ka favoritë. Nëse arrijmë një sukses besoj se do të ndikojë shumë në vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Kam përjetuar derbi edhe në kampionatin maqedonas, por ai që do të luajmë do të jetë i veçantë për faktin se do të luajmë pa tifozë. Është diçka jo normale, megjithatë detyra jonë është të japim më të mirën në fushë. Me Raçiç në sulm ndjehem komod pasi plotësojmë njëri – tjetrin, nëse shënoj do t’i përshëndes tifozët tanë nëpërmjet kamerave të instaluara në stadium” deklaroi kosovari për mediat.

Në kampin e Tiranës përgatitjet janë drejt fundit dhe Magani duket se i ka vendosur pikat mbi “i” ku do të zbresë në fushë me një formacion sulmues duke mos u ndikuar aspak nga forma e mirë e kundërshtarit në reaprtin e avancuar. Gjithcka për bardheblutë do të rrotullohet rreth mesfushorit Elis Bakaj, që ka paguar gjobën për ndeshjen e mbetur të pezullimit dhe do të jetë gati për sonte. 24 herë kampionët e vendit përmes një letre shprehin keqardhjen për mungesën e tifozëve.

“Jemi perpara nje sfide te veshtire. Stadiumi nuk do te jete njesoj pa ju, kjo eshte beteja me e madhe. Ne nuk do te jemi njesoj pa ju. E kemi provuar ne dy ndeshjet e fundit dhe jemi ndjere te vetem. Tirona numeron nje lojtar me pak, mungon numri 12, mungoni ju. Te premten per ne nuk do te jete e thjeshte. Pa ju nuk eshte asnjehere e thjeshte. Te gjithe jemi gati per te dhene shpirtin ne fushe, per te sakrifikuar.

Kjo ndeshje eshte shume e rendesishme, fitorja vlen me shume se tre pike. Bashke jemi nje dhe bashke do ja dalim. Derbi nuk meriton te luhet pa pasionin dhe atmosferen qe vetem ju dini te sillni ne tribuna, por kushtet na detyrojne qe kete rradhe te bejme ndryshe. Dhe per ju eshte e veshtire, por bashke kemi kaluar sfida te medha dhe bashke do ta kalojme edhe kete pengese me shpresen se shume shpejt do te riktheheni aty ku ju takon dhe ku ne ju presim.

Ne te premten do te zbresin ne fushe me zemren tuaj, me pasionin tuaj dhe karakterin qe kjo skuader dhe ky klub ka ne tradite. Do te luftojme deri ne fund per te marre me te miren e per te festuar bashke. Te gjithe lojtaret e skuadres e dine se cfare do te thote kjo ndeshje. Ne te premten do te japim gjithcka, do te luajme per gjithcka. Ne te premten do te luajme per ju. Te premten vetem per Tironen” thuhet në letër.

Aktualisht Tirana dhe Partizani kanë të njëjtën kuotë pikësh, 10. Të premten do të zhvillohet edhe një tjetër ndeshje e Superligës e vlefshme për javën e 6, mes Apolonisë dhe Kukësit në orën 17:00 në qytetin e Fierit. Kukësi pas humbjes me Skënderbeun nuk do të lejojë një tjetër humbje, pasi nuk do të kurseheshin gjobat, por edhe një largim i mundshëm i trajnerit Artim Shaqiri. Por në Apolonia këtë edicion ka treguar se mund t’u marrë pikë edhe pretendentëve, theksojmë fitoren ndaj Partizanit. 


d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Poliçan/ Kishin kultivuar kanabis në fshatin Plashnik, asgjësohen 116 bimë, 5 të arrestuar, mes tyre edhe një 21-vjeçar (EMRAT)

Poliçan/ Kishin kultivuar kanabis në fshatin Plashnik, asgjësohen 116 bimë, 5 të arrestuar, mes tyre edhe një 21-vjeçar (EMRAT)