Nëse kishte sadopak dyshime tani janë shuar edhe klubi i Partizanit. Të kuqtë në rrjetet sociale kanë konfirmuar se ndeshja derbi me Tiranën, të hënën në orën 19:00, që është edhe ndeshja më e rëndësishme e futbollit shqiptar, do luhet në stadiumin ‘Air Albania’.
Ka pasur dyshime për stadiumin për vetë faktin se fillimisht drejtuesit e Partizanit dëshironin që derbin ta organiznon në kompleksin e tyre. Mirëpo stadiumi ‘Partizani’ nuk shkon më shumë se 4 mijë tifozë dhe për këtë ndeshje interesimi është më i lartë.
Si përfundim derbi do jetë në ‘Air Albania’ dhe Partizani e justifikon duke thënë se priten shumë më shumë se 4 mijë tifozë. Megjithatë ka aludime që të kuqtë të jenë imponuar nga FSHF-ja, pasi dëshira vështirë se mund t’u ketë ikur.
“Klubi zyrtarizon stadiumin ‘Air Albania’ ku do të zhvillohet takimi Partizani – Tirana i vlefshëm për javën e 24 të Kampionatit. Duke parë interesimin e madh të tifozerisë së kuqe për të qenë sa më e shumtë prezent në këtë ndeshje të rëndësishme, klubi ka vendosur që ndeshja derbi të luhet në stadiumin ‘Air Albania’,”- shkruan klubi i Partizanit në postim.
Tirana vjen në këtë derbi si kryesuese e Superligës me 3 pikë më shumë se Partizani ndjekës.