Dinamo fitoi të enjten 3-0 kundër Aluminij dhe siguroi biletën për në turin e tretë kualifikues të Conference League. Pas ndeshjes, për mediet foli trajneri i 'Bluve', Ilir Daja. Ai tha se suksesi është meritë e djemve dhe se nuk e njeh në detaje rivalin e radhës, letonezët e Audas.
“Ndeshja dhe rivalët? Ishte një ndeshje e vështirë për shkak edhe të barazimit në Slloveni. E dinim që kishim një ekip me disiplinë taktike, që nuk del nga detyrat. Janë ekip që pësojnë pak gola. Kanë edukatë të tillë që nuk ndryshojnë shumë. Mbrojnë mirë dhe kanë kundërsulm që të vë në vështirësi. Dhe ne iu përgjigjëm.
Si e përballoi grupi? Duke filluar nga Dita, tek Aliji që ishte me temperaturë, gjithë djemtë e tjerë dhanë maksimumin. E dinim që na priste ndeshje e vështirë. Gjithë merita është e lojtarëve që nuk u dorëzuan. E prisnim startin e vrullshëm të kundërshtarit. E bënë këtë gjë edhe në 10 minutat e fundit të ndeshjes së kaluar. Ishin 5 veta që i bashkoheshin sulmuesit të parë.
Duhet të shfrytëzonim më shumë gjysmë hapësirat, ose linjat anësore. Gradualisht filluam të merrnim drejtimin e lojës. Këto ekipe kanë kondicionin fizik si element të mirë. Duhet të humbësh topa për të bërë tranzicione. Ne jemi në fillimet tona, pjesa tjetër ishte e ekuilibruar. Shfrytëzuam rastet që na u krijuan para portës. Është vështirë t’i shënosh këtij ekipi.
Dinamo e sezonit të ri? Duke filluar një cikël i ri, kjo ndeshje na ndihmoi shumë. Futemi në ritmin e garës me ndeshjet evropiane që na përgatisin më mirë. Të kemi kontigjent që mund ta përballojë mirë edhe fillimin e kampionatit.
Auda, rivali i radhës - Duke nisur nga rezultatet e të dyja ndeshjeve, Auda tregon që është ekip i fortë. Nuk është se e kemi parë ekipin letonez. T’i marrim gjërat një nga një, na pret një ndeshje shumë e afërt, ndeshjen e kemi të martën. Çdo tur është më i vështirë. Duke filluar që nga nesër (sot) do të merremi me analizën dhe përgatitjen e ndeshjes. Nuk kam asnjë lloj informacioni. Në ditët në vijim mund të them se kush është ekipi që do të ndeshemi në turin e tretë.
Probleme me vizat? Jemi mësuar, s’po na bëjnë më përshtypje edhe mungesat për shkak të vizave", tha Ilir Daja pas fitores së djeshme në 'Elbasan Arena'.
Lajmi kryesor:
Conference League/ Dinamo shkëlqen ndaj Aluminij dhe siguron kualifikimin në turin e tretë, avancon edhe Shkëndija! Eliminohen Ballkani e Malisheva









