Egnatia ka demonstruar forcën në javën e 11 të Superligës, duke mposhtur me rezultatin e thellë 5-1 Vorën në Rrogozhinë. Pas disfatës në Conference League, të besuarit e Nevil Dedes, kanë përfituar nga ndalesa e rivalëve në kampionat, për ta dërguar në 7 pikë diferencën me Teutën ndjekëse. Përballë Vorës, të 5 golat erdhën nga autorë të ndryshëm. Kryeziu zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë, ndërsa miqtë barazuan përkohësisht me Karricën para se Adjessa, Fernando, Kasa dhe Albanese të vuloste shifrat përfundimtare.

Befasi e madhe në javën e 11 rezultoi përballja Skënderbeu-Dinamo, me korçarët të cilët ia dolën të fitojnë me rezultatin e pastër 2-0. Për Dinamon kjo humbje erdhi pas 2 barazimeve, ndërsa në 5 ndeshjet e fundit të besuarit e Ilir Dajës kanë fituar vetëm 1 përballje.

Më herët Vllaznia u rikthye te fitoret duke mposhtur 1-0 Elbasanin. Partizani për herë të parë mori fitoren e dytë radhazi këtë sezon, duke ia dalë 0-1 kundër Laçit, ndërsa me rezultatin 1-0 Tirana mposhti Teutën. Për durrsakët ishte humbja e 3 radhazi, ndërsa kanë 4 ndeshje pa fitore. 

Këto rezultate e zbritën Teutën e vendit të dytë -7 pikë nga Egnatia kryesuese, ndërsa pas javës së 11 Dinamo e vendit të tretë mbetet 3 pikë më pak se durrsakët. Pavarësisht 2 fitoreve tabelën e klasifikimit vijon ta mbyllë Partizani me 10 pikë, 1 më pak se Laçi i vendit të nëntë dhe 2 më pak se Vllaznia e vendit të tetë dhe po aq nga Vora e vendit të shtatë.