Kryeministrit Edi Rama iu akordua titulli “Urdhri i Minervës” nga Universiteti Gabriele d’Annunzio në Itali.

'Është një urdhër shumë i madh për mua…", tha Rama.

Ky çmim për kryeministrin Edi Rama vjen pas ndihmesës që Shqipëria dha për Italinë në periudhën e pandemisë, kur vendosi dërgimin e një ekipi prej 30 mjekësh e infermierësh.

“Ndrojtja më kaploi kur mu bë me dije se do të merrja këtë Urdhër akademik të Minervës, Mbretëresha e Mençurisë dhe Mbrojtësja e Dijes. Mençuria është një cilësi, që, siç e dini, jo gjithmonë karakterizon atë që merret me politikë, madje do të thosha ndodh e kundërta. Për të përdorur një eufemizëm këtu, pasi faktikisht nuk e karakterizon asnjëherë”, tha Rama.

Rama tha se ajo që Shqipëria ka bërë gjatë emergjencës së pandemisë ishte shumë pak krahasuar me atë çka i detyrohej shtetit italian.

"E bëmë për të treguar gjithashtu se egoizmi mes shteteve dhe pse merret i mirëqenë nuk është një domosdoshmëri, pasi Europa ndërtohet me fakte dhe jo me kompromise dhe formula abstrakte. Me fakte nënkuptoj gjeste altruizmi të përditshme.Shembulli i dhënë nga mjekët dhe infermierët shqiptarë nuk ishte një model mençurie i përllogaritur, sipas Minervës, por thjesht humanizmi. Si ai model humanizmi që Italia e ka dëshmuar kundrejt Shqipërisë, jo vetëm një herë, në momente të tjera të historisë së saj", tha Rama.

Nga Italia, kreu i qeverisë tha se Europa është sot e ndarë nga digat e luftës, nga konfliket e integrimit dhe nga krizat e institucioneve të saj. Ndërsa theksoi se botën duhet ta dominojë humanizmi. Titulli “Urdhri i Minervës” i është dhënë edhe disa prej personaliteteve më të njohura në nivel botëror.