ITALI - Gjashtë vjet heqje lirie dhe kurrë më poste politike: kryeprokurorja në Milano ka deklaruar hapur dhe publikisht në procesin gjyqësor se fjala është për "prostitucion sistematik" në vilat e Berluskonit. Veç kësaj, bëhet fjalë për abuzim me postin.

Një tjetër kapitull ky, në luftën e tij disavjeçare me drejtësinë italiane: ish-kryeministri dhe multimiliarderi Silvio Berluskoni dështoi me ankimimet e tij ndaj trupit gjykues dhe tani i duhet të dëgjojë pikat e akuzës të prokurorisë së Milanos.

Për kryeprokuroren Ilda Bocassini, faji i Berluskonit është i qartë. Nën akuzën e marrëdhënieve seksuale me një “eskort” të mitur, ajo kërkon gjashtë vjet heqje lirie ndaj ish-kryeministrit konservator. Veç kësaj, 76-vjeçarit duhet t’i ndalohet për gjithë jetë të mbajë poste publike.

Në fjalën e saj, Boccassini ngriti akuza të rënda. Në vilën e Berluskonit “Arcore” është ushtruar "prostitucion sistematik", tha ajo. Në qendër të procesit është marokenia, asokohe 17-vjeçare, Karima El Marhoug, e quajtur "Ruby" Rubacuori, me të cilën Berlusconi akuzohet se ka pasur marrëdhënie kundrejt pagesës. Të dy e hedhin poshtë këtë.

Bosi i medias e ka ditur shumë mirë se "Ruby" në atë kohë ka qenë e mitur, thotë padia. Për mbrëmjet në Arcore, vajza është paguar direkt prej tij. Më shumë se katër milionë e gjysmë euro i ka paguar Berlusconi "Ruby-t", deklaroi Bocassini.

Kjo rezulton nga telefonatat e kontrolluara, shënimet e sekuestruara dhe të dhënat bankare të siguruara. Prokuroria e akuzon veç kësaj ish-kryeministrin për abuzim me postit, pasi në pranverë 2010 ka provuar të çlirojë nga problemet me drejtësinë "Ruby-n" me një telefonatë në Kuesturën e Milanos.

Berlusconi është mbrojtur duke thënë se vajzën e kishte kujtuar për një të afërme të ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak dhe ka dashur të shmangë ndërlikime diplomatike me Kajron.

Vendimi mund të merret në 24 qershor. Por, lista e veprave penale të Berluskonit përmban, sipas organit të akuzës, edhe ryshfete, mashtrime tatimore, financim të paligjshëm të partive politike. Megjithatë, ai ka dalë shpesh me sukses nga laku i Gjyqësorit.

Gjatë fushatës elektorale të gjitha proceset hetimore dhe penale kundër Silvio Berluskonit u pezulluan. Pas zgjedhjeve parlamentare, drejtësia italiane ka marrë përsëri në dorë dosjet e shumta ndaj Silvio Berluskonit.

Një gjykatë e shkallës së parë në Milano e dënoi atë në fillim të marsit 2013 në të ashtuquajturin "proces Unipol" me një vit heqje lirie. Pritet që avokatët e Berluskonit ta apelojnë vendimin dhe procesi të rishqyrtohet në instancën e dytë.

Megjithë skandalet, zgjedhësit i mbeten Berluskonit besnikë. Ai është pronar i kompanive më të mëdha mediatike të Italisë dhe problemet e tij me drejtësinë trajtohen në të vetëm në sfond.

"Ata që janë tifozë të Berluskonit shikojnë natyrisht këto stacone, marrin prej tyre edhe informacionin që përshtatet me botëkuptimin e tyre.

Dhe, në këtë botëkuptim, natyrisht që akuzat ndaj Berluskonit konsiderohen si gjueti shtrigash kundër figurës politike të Berlusconit. Berluskoni përpiqet ta paraqesë veten si viktimë të drejtësisë italiane dhe u ka bërë thirrje pasuesve të tij për të protestuar në sheshe kundër drejtësisë italiane.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)